Me iniciativë të prindërve të Betina Ymerit e cila për shkak të kërcënimeve nga fejuari i saj përfundoi në vetëvrasje, të premtën organizohet protestë nga ora 12:00 para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Përmes protestës iu bëhet thirrje institucioneve gjegjëse që ta trajtojnë drejt dhe me prioritet rastin e Betinës dhe t’i jap ndëshkim meritor personit që e shtyri drejt vdekjes atë. Dhuna sistematike të cilën e ka përjetuar Betina është një nga realitetet me të frikshme të cilën e jetojnë shumë vajza e gra në Kosovë, dhunë kjo e cila ushqehet nga të gjitha institucionet publike e private që vazhdojnë ta normalizojnë dhe amnistojnë dhunën me bazë gjinore.
Përveç kërkesave drejt institucioneve publike, prindërit e të ndjerës duan ta kthejnë vëmendjen tek nevoja për mbrojtje dhe vëmendje ndaj vajzave të tyre. Përderisa jetojmë në një sistem të dhunshëm si ky i yni, është vendimtare që të angazhohemi më shumë për sigurinë e vajzave, në mënyrë që ato të mos ndihen të vetmuara dhe pa ndihmë kur ato janë viktima të dhunës.
“Ky sistem e kjo mendësi duhet të ndryshojë. Andaj, ne ngrihemi në këmbë të premtën për të kërkuar drejtësi për Betinën dhe siguri për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë”


