Lajme

“Pas humbjes së vulës Basha mund të shkojë te Berisha”

06/20/2024 22:02
nga:Y I

Juristi Ylli Manjani është shprehur se Lulzim Basha, mund të bashkohet me PD-në e drejtuar nga Sali Berisha.

Komentet Manjani i bëri në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ku tha se kjo mund të jetë edhe arsyeja e lëvizjes së sotme të Alibeajt, i cili u largua nga grupi parlamentar i PD-së, pas marrjes së vulës nga Berisha.

Manjani tha gjithashtu se gjithësecili në politikë bën llogaritë e veta, se ku mund ta fitojë më thjeshtë mandatin në zgjedhjet e ardhshme.

“Analiza është e thjeshtë. Është një bashkësi individësh që bëjnë llogaritë e veta. Ku bëhem unë deputet. Është ç’organizim kolektiv. Duket se ata nuk kanë pasur një plan B. Agron Shehaj është më i qarti, as nuk shau njeri, as foli, krijoi pozicionin e tij të ri politik.

Këto janë lëvizje burrnore tani. Ai thotë do bëj ankim, ça ankimi do bësh ti aman. Ke qenë lider politik për 8 vite. Nuk mësove asgjë? Si të drejtosh, si të zhvillosh ide. Ndoshta Alibeaj mund të lexohet edhe kështu, ‘unë po vendos stekën’.

I paraprin një lëvizjeje, sepse Luli ndoshta është gati të shkojë te Saliu. Sepse edhe Luli vet bën këtë hesap. Ku e fitoj më kollaj mandatin unë, të shkoj atje ku është vendi gati, apo ta nis nga e para. Ata gropë janë. Misioni i tyre është si të bëhem deputet”, tha Manjani.