Një ditë pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit dhe SNS-së në zgjedhjet e parakohshme në Serbi, “Cacilendi” në qendër të Beogradit ka mbetur vetëm me mbetjet e tendave të djegura dhe mbeturinat.
Kampi i ngritur nga pushteti në mars të vitit 2025, përballë Presidencës së Serbisë, ishte shndërruar në simbol të përpjekjeve për t’i bërë ballë protestave studentore.
Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme, përkrahësit e saj hynë në hapësirën e rrethuar në parkun Pionirski në qendër të Beogradit, ku për më shumë se një vit e gjysmë qëndronin tendat e ngritura nga pushteti i Vuçiqit. Gjatë festimeve, tendat u shkatërruan dhe u dogjën.
Të nesërmen në mëngjes, gazetarët e BBC-së vizituan vendin që për muaj të tërë ishte i rrethuar me gardhe dhe i ruajtur nga policia. Punëtorët e shërbimeve komunale po largonin mbetjet e tendave, shumica të karbonizuara, bashkë me mbeturinat e tjera.
Pamja ishte krejt ndryshe nga ajo që qytetarët ishin mësuar të shihnin që nga marsi i vitit 2025. Një burrë i moshuar po shëtiste qenin e tij në park, diçka që nuk kishte mundur ta bënte për shkak të hapësirës së mbyllur dhe pranisë së tendave.



