Nga Vetëvendosje po besojnë që shumë shpejt mund të hiqen sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Deputeti Eman Rrahmani thotë se qasja e treguar në dialog nga ana e Qeverisë së Kosovës, duhet të reflektoj që të hiqen këto masa.
Ai beson se këto masa do të tërhiqen, kjo pasi sipas tij, tashmë në Këshillin e Evropës dhe në Parlamentin Evropian ka nisur të flitet për tërheqjen e këtyre masave.
“Natyrish që qasja e qeverisë në dialog dhe konstruktiviteti i treguar besoj që do të reflektojë edhe në vendimet për t’i tërhequr këto masa. Ka filluar të diskutohet edhe në Këshillin e Evropës edhe në Parlamentin Evropian rreth tërheqjes së këtyre sanksioneve për shkak që Kosova nuk ka çfarë të ofrojë më”, tha ai për “Expose”.
“Nuk e di që në një vend të botës, një komunitet qysh komuniteti serb ka të drejta në Kosovë, mund t’i ketë. Kështu që qasja e Kosovës mendoj që është korrekte dhe e drejtë, por që duhet të ketë një diplomaci më aktive edhe të ketë një konstruktivitet që të dalim nga kjo çështje, por unë po them që çështje përmbajtësore dhe kryesore dhe energjinë dhe fokusin duhet ta kemi brenda vendit edhe në zhvillimin e vendit, përshkak që është duke pasur pasoja shumë të rënda i gjithë fokusimi i energjisë në çështjen e dialogut me Serbinë”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Ai thotë se në dialog duhet të kemi kujdes dhe të mos tregohemi jo konstruktiv.
“Ajo çfarë dihet se angazhimi i Serbisë, me gjithë fuqinë e saj shtetërore, me diplomacinë që e ka në krahasim me Kosovën është më i lartë dhe e ka arritë në njëfarë mënyre që disa çështje t’i paraqes në mënyrën jo siç duhet edhe në dëm të Kosovës. Mirëpo po them që rasti i Banjskës duhet të reflektojë sepse është gjithçka transparente se kush është Serbia dhe kush është Kosova. Tanimë është e qartë gjithçka edhe në këtë pikë besoj se kanë qenë konkrete edhe në deklarimet e SHBA-së dhe të gjithë faktorët e tjerë ndërkombëtar, duke tregu që ky është një agresion i një grupi terrorist të mbështetur prej Serbisë. Në këtë pikë mendoj që duhet të ketë rishikim të vendimeve dhe besoj që shumë shpejt do të ketë, duke e parë edhe konstruktivitetin që ka treguar Kosova në dialog edhe pas rastit të Banjskës”, thotë ai për “Expose”.


