Lajme

Zgjedhjet 2025 | Përfundon procesi i numërimit të votave

03/05/2025 21:16
nga:Genita C

Procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka përfunduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ky proces, i cili pritej të përfundonte deri në orën 19:00 të mërkurën, ka përfunduar me një vonesë prej dy orësh.

Shkaku i vonesës ishte një kuti votimi që nuk mund të numërohej për shkak të problemeve me sistemin.

Njoftimi i plotë:

• Përfundimi i numërimit

Ju njoftoj se në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sot, është dita e fundit kur këtu në QNR ka pasur administrim të numërimit të fletëvotimeve, andaj edhe ky afat llogaritet nga dita e sotme, 5 mars 2025, ora 21:00.

• Rasti i Vushtrrisë

Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë.

Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit.

Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar.