Lajme

Pas fjalimit të Abdixhikut, Kuvendi i LDK-së po i zhvillon punimet me dyer të mbyllura

01/31/2026 14:45
nga:Y I

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdon punimet e tij me dyer të mbyllura. Ky Kuvend do të vendosë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të partisë ose jo pas votëbesimit të kërkuar nga ai.

Gjatë fjalimit të tij gati njëorësh, Abdixhiku e ofroi dorëheqjen e tij për shqyrtim te delegatët e Kuvendit.

“Me përgjegjësi të plotë morale e politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për të shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur si detyrim moral. S’e bëj këtë për të krijuar krizë. Prandaj, ju pyes çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni unë do ta respektoj me qetësi, me dinjitet dhe me plot besim”, tha ai gjatë fjalës para Kuvendit.

Gjatë fjalimit, Abdixhiku pati kritika për “sulme” ndaj tij edhe brenda partisë, ndërsa tha se në “LDK-në demokratike”, kryetari është gjithmonë tabelë qitje meqë është “i ndryshueshëm”. Ai bëri thirrje që të ringritet LDK-ja me unitet dhe pa përçarje.

Në fund të fjalimit, për Abdixhikun pati duartrokitje nga bashkëpartiakët e tij, të cilët u ngritën edhe në këmbë, por jo të gjithë.

Në rreshtin e parë u panë të ulur Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti e Arben Gashi. Të tre kanë qenë kritikë për Abdixhikun pas rezultatit të dobët që mori kjo parti më 28 dhjetor.

Para nisjes së Kuvendit, Abdixhiku tha se brenda tij do të ketë debat e diskutime dhe më pas do të votohet për të.