Kuvendi Komunal i Gjilanit nuk ka mbajtur mbledhje më shumë se dy muaj. Prej 29 shtatorit edhe dy herë të tjera u thirrën seanca që më pastaj u anuluan.
E arsyetimet për mos mbajtjen e tyre po i quan banale e qesharake një asamblisti i opozitës, njofton Klan Kosova.
“Arsyetimi i parë ka qenë kur kryesuesi i Kuvendit tha se është i sëmurë dhe papritmas në media doli se ishte në Shqipëri në një trajnim. Kurse herën e dytë tha se po e shtyn seancën për shkak të festave të 28 nëntorit kur seanca ishte e paraparë më 25 nëntor”, tha Kushtrim Kadriu, asamblist nga partia Vatra.
Ekzekutivi lokal që udhëhiqet nga Vetëvendosje është në koalicion me tri parti të tjera dhe aktualisht ka 18 asamblist nga 35 sa janë gjithsej. Kështu sipas Kadriut funksionimi i kuvendit ishte me telashe që nga themelimi. Sipas tij shumë rregullore e vendime po presin shqyrtim, derisa mbi 70 pika janë të padiskutuara deri me tani.
Nga subjekti më i madh opozitar thonë se ia kanë bërë me dije pozitës që janë të gatshëm t’i votojnë vendimet e mira vetëm që kuvendi të funksionojë.
“Ka arrit me ba një qeverisje komunale në bazë të interesave personale dhe grupore, punësime, tenderë dhe kjo është arsyeja që sa herë që ka seanca lindin edhe kërkesat e problemet, sepse i kërkojnë pazaret”, tha Avdyl Aliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Aliu thotë se edhe këshilltari komunal, Arianit Ibrahimi, që është jashtë vendit po bën që ekzekutivi lokal t’i shtyjë seancat.
Derisa kryesuesi i Kuvendit Arianit Sadiku, tha përmes telefonit se nuk është në Gjilan dhe se nuk mund të deklarohet, megjithatë u zotua që këtë ta bëjë dikush tjetër nga komuna dhe më nuk ishte i qasshëm.