Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që dënoi me 16 vite burg autorin e vrasjes së 15-vjeçarit Martin Cani, ka reaguar babai i të miturit, duke shprehur se asnjë dënim, sado i lartë, nuk mund t’ua japë familjes qetësinë e humbur.
“Edhe sikur të dënohej 100 vite dorasi, nuk na kalon dhimbja. Djali nuk na kthehet më,” – tha ai për Kosova Live.
Vendimi fillestar ishte 32 vite burg, por sipas ligjit për të miturit, ai përgjysmohet në 16 vite. Babai i Canit theksoi se kjo është vetëm shkalla e parë, ndërsa procesi mund të vazhdojë në Apel dhe instanca të tjera.
Megjithatë, ai vlerësoi punën e institucioneve të drejtësisë:
“Pavarësisht çfarë vendimi jepet, shyqyr që ka drejtësi. Por humbjen tonë nuk e kthen askush dhe asgjë.”
Familja e Martin Canit ka marrë vizita të shumta nga të afërm, miq dhe qytetarë, gjë që, siç thotë babai i tij, ua ka zbutur sadopak dhimbjen:
“Njerëzit na kanë qëndruar afër, po vijnë për të na parë. Kjo na ka lehtësuar pak, por zemra jonë është thyer përgjithmonë.”
Martin Cani u vra më 18 nëntor 2024, vetëm 200 metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, pas një konflikti mes bashkëmoshatarëve.


