Lajme

Pas dekretimit të dorëheqjeve të prokurorëve serbë, reagon Ambasada britanike

07/23/2026 12:29
nga:Genita C

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar pas dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë, duke kërkuar ruajtjen e integrimit të të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë, raporton GazetaBlic.

Në reagim, ambasada ka rikujtuar Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015 dhe ka thënë se dorëheqjet masive të zyrtarëve të drejtësisë në vitin 2022 ishin “hap prapa” që dëmtoi interesat e qytetarëve.

Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për forcimin e besimit në institucionet e sundimit të ligjit përmes një sistemi gjithëpërfshirës dhe multietnik.

Reagimi i plotë:

Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës. Dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 i konsideruam si një hap prapa, që dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës.

Ne mirëpritëm reagimin afatgjatë të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë që të gjitha komunitetet në Kosovë të ruajnë besimin në sistemin e drejtësisë, dhe për këtë arsye jemi të shqetësuar nga zhvillimet e kësaj jave.

Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë multietnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, me qëllim mbështetjen e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.