Lajme

Rozeta Hajdari: Deklarata ime rreth Reciprocitetit është keqinterpretuar!

05/25/2021 18:13
nga:Y I

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook pas deklaratës së bërë ku tha se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Hajdari po thotë se kjo deklaratë është keqinterpretuar.

“Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë” shkruan Hajdari në facebook përcjell Gazeta Blic.

Reagimi i plotë:

Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar.

Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.

Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin.

Në Qeverinë Kurti 1 e patëm vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve.

Reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve.

Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave.