Lajme

Pas Besnik Bislimit, radhën për t’u marrë në pyetje në KPJD e ka Donika Gërvalla

05/05/2021 16:23
nga:M K

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, ka njoftuar opinionin me ecurinë e përgjithshme të mbledhjes së mbajtur sot që u karakterizua me përplasje të ndryshme.

Abazi i ka cilësuar si të “frytshme”, pyetjet, diskutimet e komentet e bëra gjatë ditës së sotme ku për raportim ishte zv.kryeministri i Parë, Besnik Bislimi.

Po ashtu, ai ka treguar se javën që vjen do të ftohet për raportim edhe shefja e Diplomacisë tonë, Donika Gërvalla Schwarz – e cila është në shënjestër të kritikave pas deklaratave të rënda ndaj krerëve të UÇK-së.

Ai është deklaruar optimist për vendosjen e bazave të bashkëpunimit dhe komunikimit mes Komisionit Parlamentar dhe Ekzekutivit.

Statusi i plotë:

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të mbajtur raportoi Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili e informoi komisionin lidhur me vizitën e tij në Bruksel dhe takimet e zhvilluara atje dhe dinamiken qe pritet ne muait ne vazhdim.

Takimi është karakterizuar me pyetje, diskutime dhe komente të frytshme për të vendosur bazat e bashkepunimit dhe komunikimit Komision Parlamentar- Ekzekutiv, me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për proceset e rëndësishme që janë duke u zhvilluar në vendin tonë.

Gjithashtu KPJD sot miratoi fushë-veprimtarinë e komisionit. Anëtarët e komisionit u dakorduan që të kërkohet nga grupet parlamentare që të dërgohen propozimet sa i përket përbërjes së anëtarëve të grupeve të Miqësisë për Legjislaturën e VIII, ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës me parlamentet e shteteve tjera.

Mbledhja vijoi me propozimin që të formohet një grup punues brenda komisionit lidhur me mundësinë e plotësim-ndryshimit të rregullores për formimin e grupeve të miqësisë, e cila rregullore daton që nga viti 2009.

Në fund të mbledhjes, anëtarët e komisionit u dakorduan që në takimin e radhës të planifikuar më datë 11 Maj 2021, të ftohet Ministrja e Punëve të Jashtme, Znj. Donika Gërvalla Schwarz, për të raportuar lidhur me Planin Legjislativ të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.