Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e gjykatës, Tahir Shala është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 20 muaj burgim me kusht, i cili akuzohej për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të hënën, nga gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, bashkë me Shalën akuzohen edhe ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala dhe Sylë Balaj, Dardan Blakaj të cilët në seancën e 17 marsit 2023, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Ndërsa më 24 prill të këtij viti pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, i akuzuari Dardan Blakaj është dënuar me 11 muaj burgim me kusht.
Sipas këtij aktgjykimi, për veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” Shala u dënua me 18 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” i njëjti u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 muaj.
Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 20 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës verifikuese prej 2 vite.
Sipas gjykatësit Konxheli, gjykata në bazë të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ka aprovuar edhe propozimin që dënimi plotësues i propozuar në aktakuzë ndaj të njëjtit të mos aplikohet.
Tahiri, po ashtu u obligua që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.
Palët kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.
Ndryshe, në seancën e shqyrtimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, të mbajtur në të njëjtën ditë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Konxheli ka thënë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe i akuzuari Tahiri kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, marrëveshje kjo e datës 2 maj 2023.
Lidhur me këtë, prokurori special Ilir Morina, ka thënë se PSRK-ja pas plotësimit të kushteve ligjore kanë zhvilluar seancën e negocimit më 12 prill 2023 për pranimin e fajësisë dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e shtetit Blerim Isufaj kanë arritur marrëveshjen më 2 maj 2023 e cila është dorëzuar në gjykatë më 4 maj 2023.
Sipas prokurorit Morina, i akuzuari Tahiri ka pranuar fajësinë për dy veprat penale si në aktakuzë dhe se palët janë pajtuar për dënimin e rekomanduar.
Ai tha se dënimi i rekomanduar sipas kësaj marrëveshje është dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 18 muaj për veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, dhe 12 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, kurse dënimi unik të jetë dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 muaj.
“Dhe në bazë të nenit 51 të urdhërohet që ky dënim të mos ekzekutohet, pra të jetë i kushtëzuar nëse personi i dënuar nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës kohore prej 24 muaj. Si rezultat i negocimit jemi pajtuar që gjykatës t’i propozojmë që dënimi plotësues i propozuar në aktakuzë të mos shqiptohet”, ka thënë tutje prokurori Morina.
Kurse, ka propozuar që i akuzuari t’i paguaj shpenzimet e procedurës ashtu siç e para sheh gjykata.
Në fund prokurori Morina i propozoj gjykatës që marrëveshjen ta aprovoj si të plotë.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Arianit Koci dhe vet i akuzuari Shala i kanë propozuar gjykatës që të aprovohet marrëveshja për pranim të fajësisë ku sipas tyre pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare.
Të njëjtit deklaruan se në rast të pranimit të marrëveshjes nga ana e gjykatës heqin dorë nga ankesa.
Me pas, këtë marrëveshje për pranim të fajësisë e ka aprovuar gjykata.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Milot Blakai. Dardan Blakaj dhe Syle Balaj, nga muaji janar deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe ne bashkëkryerje me njëri tjetrin e kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, kandidat për deputet nga radhët e subjektit politik “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK) në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2022.
Në aktakuzë thuhet se, në atë mënyrë që të pandehurit fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, kundërligjshëm i kanë përdorur ato letërnjoftime në procesin e votimit për votuesit nga diaspora, ashtu që të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë janë mbledhur në një zyre që dyshohet se ishte nën menaxhim të të pandehurit Kastriot Blakaj në Peje.
Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht aplikuan në KQZ për tu regjistruar si votues nga diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së, pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidate, në mesin e tre edhe për të pandehurin Shkumbin Gashi pastaj një kopje të letërnjoftimit dhe fletevotimin e vendosin në një zarf, dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, i vendosin ne një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim ne Austri.
Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Kastriot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe me datë 2 shkurt 2021 e dërgon tek Stacioni i Autobusëve në Pejë, aty çantën ia jep njërit nga shoferet e autobusit të kompanisë “Loshi Reisen”, i cili bartë udhëtarë me autobus në linjën Gjakove-Vjenë, ku vozitës atë ditë ishin Agim Abdyli dhe Sabri Uka, pastaj me të arritur çantën e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe ky i fundit i vendos zarfet në postën e Austrisë me destinacion KOZ-në në Kosovë, me ç’ rast gjatë kontrollit të ligjshmërisë të kryer nga ana e prokurorit të shtetit në KQZ, ka arrit të identifikohen dhe të konfiskohen zarfet e lartcekura me fletëvotime te falsifikuara.
Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 213 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas diapozitivit të dytë, në kohën dhe vendin si në pikën e parë të këtij dispozitivi, me dashje dhe në bashkëkryerje mes veti dhe me persona të tjerë ende të pa identifikuar, i kanë keqpërdorur të dhënat personale të disa qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri, në atë mënyrë që fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre i kanë përdorur në procesin e kryerjes së veprës penale nga pika I të këtij diapozitivi.
Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 336 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në dispozitivin e tret, i pandehuri Kushtrim Gjelvukaj, më 9 shkurt 2021, në stacionin e Autobusëve në Pejë, me dashje e kanos të dëmtuarin Agim Abdyli, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim për jeten e tij.
Sipas këtij dispozitivi, në atë mënyrë që në ditën e incidentit, del me veturën e tipit “Audi A6”, tek Stacioni i Autobusëve dhe aty pret deri sa shfaqet i dëmtuari Agim Abdyli dhe në një moment i pandehuri Gjevukai i afrohet të dëmtuarit Abdyli, pastaj e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka me pret a dhe hajt se ta kallxoj qejfin“, pastaj mbyll dritaren dhe largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, mirëpo i dëmtuari arrin t’ia marrë targat e veturës dhe pastaj e identifikon në bazë të fotografisë që e kishte parë në rrjetin social “Facebook” dhe procedurës së identifikimit gjatë fazës së hetimit.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Nr. 06/1-074 Penal të Republikës së Kosovës.


