Lajme

Pas Agim Bahtirit, zyrtarizohet edhe një kandidaturë e VV-së për zgjedhje lokale

08/14/2021 17:59
nga:Gazeta Blic

Pasi u konfirmua Agim Bahtiri, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, një gjë e tillë ndodhi edhe në Podujevë, raporton Gazeta Blic.

Kryetari aktual i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë bekimin e delegatëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, për të qenë kandidat për një mandat tjetër në krye të Podujevës.

Asnjë kundër kandidatë tjetër nuk kishte, për ta sfiduar Bulliqin në garën e brendshme në partinë e Albin Kurtit.

Delegatët e Podujevës gjithashtu votuan sot edhe për listën e garuesve për asamble komunale.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar kandidatin e tyre për zgjedhjet në Podujevë. Ekrem Hyseni do të synojë ta kthej dikur bastionin kryesor të LDK-së.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është kandidat i kësaj partie për të parin e Podujevës.

Kurse, Nisma Socialdemokrate do të garojë me Xhemajl Hasanin.

Ani pse ende nuk është bërë publike, Gazeta Blic, raportoi para disa ditësh se Partia Demokratike e Kosovës, synon të qeverisë për herë të parë në Podujevë me deputeten Floretë Zejnullahu.