Lajme

Pas 9 shkurtit, Hamza: Mbështetje të pafundme për bizneset, nga ato të voglat deri te korporatat e mëdha

01/22/2025 18:58
nga:G C

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, theksoi rëndësinë e bizneseve për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke i quajtur ato forca kryesore të rritjes dhe punësimit, raporton GazetaBlic.

Ai shprehu përkushtimin e tij për të mbështetur çdo biznes, nga ato të vogla familjare deri te korporatat e mëdha, për t’i ndihmuar të rriten dhe të kontribuojnë në ekonominë e vendit.

Hamza u shpreh se pas 9 shkurtit, do të angazhohet për një Kosovë më të mirë, ku bizneset do të kenë mbështetje të plotë për të avancuar dhe për të sjellë mundësi të reja për qytetarët.

E plotë:

Bizneset janë forca e zhvillimit të ekonomisë. Janë punëdhënësit më të mëdhenj në vendin tonë. Jemi popull ndërmarrës, me biznese konkurruese që krijojnë vende pune, paguajnë tatime dhe e mbajnë shtetin me punën, përkushtimin dhe inovacionin e tyre.

Pas 9 shkurtit është koha për një Kosovë ma të mirë, ku prej bizneseve të vogla familjare që mezi po mbijetojnë e deri te korporatat e mëdha që eksportojnë prodhimet “Made in Kosova”, do ta gëzojnë mbështetjen time të plotë si kryeministër.

Kosova mundet ma mirë!
Vendosni #MaMirë!