Lajme

Pas 13 ditësh bllokadë, fillon qarkullimi i lirë në veri nën mbikëqyrjen e KFOR-it

10/02/2021 16:55
nga:Y I

Jarinja e Bërnjaku janë zhbllokuar, ndërkaq ka nisur edhe qarkullimi i lirë i automjeteve.

Pas 13 ditësh në krye të detyrës, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës do të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, duke i lënë në dorë situatën në veri të Kosovës forcave të KFOR-it.

Tetë orë ishte koha që u caktua sipas marrëveshjes brenda së cilës serbët që po mbanin të bllokuar rrugët për Jarinjë e Bërnjak të largoheshin, paralelisht me Njësinë Speciale që po përkujdesej për sigurinë atje.

Ushtarët e KFOR-it tashmë kanë marrë nën kontroll situatën në veri, teksa serbët kanë larguar barrikadat që kanë vendosur 13 ditë më parë.

Pak kohë pas Jarinjës, edhe rruga që çon në Bërnjak u zhbllokua.

Gjatë këtyre ditëve nuk ishte raportuar për asnjë incident të ndodhur, pavarësisht se serbët që kishin vendosur barrikadat në këtë zonë me ditë të tëra kishin provokuar në mënyrë të ndryshme pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Por, disa ditë pas vendosjes së masës së reciprocitetit dhe vendosjes së barrikadave në rrugën e këtyre pikave kufitare në Zubin Potok e Zveçan kishte pasur sulme ndaj Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.

Policia e Kosovës më 26 shtator kishte dhënë detaje rreth shpërthimeve që ndodhën në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan dhe zyrën e komunës në Zubin Potok.

Policia thotë se në Zveçan rreth orës 08:45 persona të panjohur kanë thyer xhamin e zyrës për regjistrim dhe kanë hedhur dy granata dore.

“Njësia për deminim ka dal dhe ka bërë asgjësimin e mjeteve të pa shpërthyera në mënyrë të kontrolluar. Njësit përkatëse policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raport raporton telegrafi.

Kurse lidhur me rastin në Zubin Potok, policia ka njoftuar se në rrethana të panjohura në zjarr është përfshirë zyra e Komunës së Zubin Potokut. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin.

Pikat kryesore të marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë:

-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut.

Pas thirrjes së Bahtirit, qytetarët dalin për të pritur Njësinë Speciale