Partizani ka mbërritur paraditen e djeshme në Mezokozvezd të Hungarisë, ku edhe do të luhet ndeshja ndaj skuadrës së BATE Borisovt, e vlefshme për turin e parë të Champions League. Në orën 19:30 skuadra zbarkoi për stërvitjen në fushën e stadiumit.
Gjatë pasdites pati një stuhi të madhe shiu, që për pak sa nuk vuri në rrezik edhe stërvitjen e fundit. Gjithsesi, moti u përmirësua dhe seanca e djeshme më shumti funksionoi për të mbajtur skuadrën në ritmin e duhur fizik, pasi taktikat dhe sekretet janë diskutuar në stadiumin e Kamzës, i cili u zgjodh për stërvitjet e fundit para kësaj ndeshjeje, për shkak të terrenit me bar natyral.
Zekiç nuk pritet të vijë me ndryshime në këtë përballje të dytë, duke parë se në të parën skuadra u përgjigj mjaft mirë dhe krijoi shumë intensitet, pavarësisht atij goli të pësuar.
Kështu, formacioni pritet të jetë i njëjti, duke nisur me Qirkon në portë dhe vazhduar me Hadrojin dhe Atanaskoskin në krahët e mbrojtjes në një skemë 4-3-3 me dy “ekrane” para mbrojtjes.
Në qendër të mbrojtjes Sembene do të luajë sërish titullar përpara Prekës, ndërkohë që Sota do të shoqërojë senegalezin. Në mesfushë Mehmeti luajti shumë mirë në ndeshjen e parë dhe pritet që të jetë sërish në treshen e mesfushës së bashku me Rrapajn dhe Muratajn.
Nga ana tjetër, as sulmi nuk do të ndryshojë. Cara, Mba dhe Da Silva me shumë mundësi do të përbëjnë “tridentin”, që do të përbëjë ofensivën e kuqe sot. Nuk përjashtohet prania e Kekos në formacion.



