Lajme

Partitë shqiptare në Ulqin të bashkuara për zgjedhjet komunale të së dielës

03/24/2022 00:30
nga:Astrit Gashi

Të dielën do të mbahen zgjedhjet për kryetar të ri të komunës së Ulqinit.

Kandidati për kryetar të kësaj komune, Omer Bajraktari, nga partia “Ura Demokratike”, ka folur në Edicionin Special të Klan Kosovës për këto zgjedhje, duke thënë se ka arritur të bëjë koalicion me shumicën e partive shqiptare.

“Kemi bërë një risi në fushatën e Ulqinit sepse kemi bashkuar disa parti politike që deri më tani ka qenë e pamundur të bashkohen”, tha Bajraktari.

Tutje Bajraktari tregoi se në Ulqin janë 20 mijë banorë, prej të cilëve, sipas tij, 75 deri në 80 përqind janë shqiptarë.

“Programi ynë është shumë i qartë dhe i fokusuar në infrastrukturën e qytetit, e cila është sfera më e lënë pas dore, dhe po ashtu në turizëm e bujqësi“, u shpreh ai.

“Kemi vendosur që të mos shikojmë mbrapa, por para, të krijojmë një aleancë që të krijoj stabilitet në katër vitet e ardhshme”.

Bajraktari po ashtu tha se qëllimi i tyre është të sjellin investitorë nga jashtë, dhe shprehu qëllimin e tij dhe partisë së tij, që Ulqini të mos mbetet si qyteti më i varfër në Mal të Zi.