Lajme

Partitë politike “të guximshme” për balotazhin e 14 nëntorit, vetëm 4 koalicione të arritura deri më tani

11/02/2021 22:14
nga:M K

Subjektet politike kanë nisur bisedimet për ndonjë marrëveshje të mundshme koalicioni për zgjedhjet e 14 nëntorit.

Megjithatë, deri më tani ka pak koalicione zyrtare në komunat të cilat kanë shkuar në balotazh, shkruan lajmi.net.

Deri më tani, për zgjedhjet e 14 nëntorit janë zyrtarizuar vetëm katër koalicione.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të mbështesë Lëvizjen Vetëvendosje në garën e balotazhit në Kamenicë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë marrëveshje koalicioni për zgjedhjet në Komunën e Junikut dhe LDK-ja ka marrë mbështetjen e AAK-së në Gjilan për koalicion. Sot është zyrtarizuar edhe koalicioni PDK-AAK në Komunën e Malishevës.

LVV-ja dhe AAK-ja tashmë e kanë zyrtarizuar koalicionin për garën në Komunën e Kamenicës, ku kandidati i Vetëvendosjes garon kundër kandidatit të PSD-së, Qëndron Kastratit. Lajmin e ka bërë të ditur kandidati i AAK-së për kryetar të kësaj komune, Faton Jakupi. Përmes një njoftimi në Facebook, Jakupi i cili u radhit i katërti në zgjedhjet e raundit të parë në Kamenicë, ka thënë se Këshilli Drejtues i AAK-së, dega në Dardanë, me shumicë votash ka marrë vendim që në garën e balotazhit për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar komune të përkrahin kandidatin e VV-së.

LDK-ja ka marrë mbështetjen e Vetëvendosjes për garën e balotazhit në Junik, ku LDK-ja është në balotazh me AAK-në. Lajmin e ka zyrtarizuar kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Ruzhdi Shehu. Përmes një postimi në Facebook, Shehu ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim, koalicioni LDK-LVV do të publikojë programin e përbashkët qeverisës 2022-2025.

LDK-ja ka bërë marrëveshje koalicioni edhe me AAK-në në Komunën e Gjilanit, ku LDK-ja është në balotazh me Lëvizjen Vetëvendosje. Lajmin e ka konfirmuar Dega e AAK-së në Gjilan, të cilët kanë bërë të ditur se kanë vendosur të mbështesin kandidatin e LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Hazirin.

Në anën tjetër, sot PDK-ja ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje koalicioni me AAK-në në Komunën e Malishevës, ku PDK-ja do të garojë me Nismën Socialdemokrate në zgjedhjet e 14 nëntorit. Lajmin e ka bërë të ditur dega e PDK-së në Malishevë, nga e cila kanë thënë se bashkimi me AAK-në ka për qëllim përfshirjen të sa më shumë qytetarëve dhe ideve për një Malishevë të zhvilluar.

Në anën tjetër, janë përfolur edhe një numër i madh koalicionesh të mundshme për zgjedhjet e 14 nëntorit por deri më tani, asnjë koalicion tjetër nuk është zyrtarizuar. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje është raportuar se pritet të shkojnë së bashku në balotazh në komunën e Vushtrrisë kundër kandidatit të LDK-së atje.

Gjithashtu, edhe në komunën e Prizrenit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka folur rreth koalicioneve të mundshme duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me kandidatin e PDK-së për kryetar komunë, Shaqir Totaj. Veç LDK-së, edhe ish-kandidati tjetër për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha ka bërë të ditur se ka diskutuar me Totajn rreth mundësisë së koalicionit.

Por, pavarësisht kësaj, deri më tani nuk është arritur asnjë koalicion parazgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve në Kosovë ku në balotazh do të garohet në 21 komuna.

Këto janë të gjitha komunat që do të shkojnë në balotazh në zgjedhjet e 14 nëntorit:

Në Komunën e Gllogovcit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.

Komuna e Gjakovës do të ketë balotazh ndërmjet Ardian Gjinit të AAK-së me 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lilës së LVV-së me 37.20 për qind të votave.

Komuna e Kaçanikut do të ketë balotazh mes Besim Ilazit nga PDK-ja me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.

Dragashi në balotazh do ta ketë Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind të votave.

Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votavedhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, do të jenë në balotazh për Fushë Kosovën.

Në Istog në balotazh do të jenë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Balotazhi në Komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.

Në Komunën e Klinës në balotazh shkojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.

Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga PSD-ja me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.

Në balotazh në Rahovec do të jenë Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave.

Komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17 për qind të votave.

Në Viti në balotazh shkojnë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.

Në Prizren në balotazh takohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga PDK-ja me 31.36 për qind të votave.

Komuna e Junikut shkon në balotazh mes Agron Kuçit nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehut të LDK-së me 42.01 për qind të votave.

Komuna e Malishevës shkon në balotazh mes Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave.

Në Vushtrri në balotazh kanë shkuar Ferit Idrizi i PDK-së me 10 247 vota ose 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 9 956 vota ose 33.82 për qind.

Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Kllokoti shkon në balotazh mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Komuna e Mamushës shkon në balotazh me Abdulhadi Krasniqi nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.