Lajme

“Partitë nuk po u ndahen kandidatëve që kanë probleme me ligjin, poashtu po i shpërfillin kandidatet gra”

08/17/2021 14:03
nga:M K

Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit po afrohen.

Partitë kosovare tashmë kanë përfunduar procedurat e aplikimit të kandidatëve në KQZ, bashkë me emrat për kandidatë të asambleve komunale në të gjitha komunat e vendit, përcjell GazetaBlic.

Megjithatë, edhe këto lista janë me probleme të së kaluarës. Paraqitja e kandidatëve që kanë probleme me ligjin dhe mungesa e kandidateve gra, po shihen si probleme mjaft serioze para zgjedhjeve të 17 Tetorit.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi mendon se me emrat e nominuar ose ata që kanë qarkulluar deri tani, janë parë persona që kanë probleme me ligjin, apo edhe ata të dënuar me formë të prerë në tre vitet e fundit.

“Lista e kandidatëve për Kryetarë të Komunave në nivel lokal nga aspekti i qeverisjës së mirë, sundimit të ligjit dhe barazisë gjinore, dëshmon edhe në këto zgjedhje se partitë politike kanë kandiduar persona që kanë probleme me ligjin, përfshirë kandidatë me të kaluar penale apo të dënuar me vendime të formës së prerë në tre vitet e fundit”, tha fillimisht Miftaraj për GazetaBlic.

Tutje, ai tha gjithashtu se mungesa e kandidateve gra tregon mosrespektimin e partive për to, ku shihet një numër i papërfillshëm i kandidaturave në krahasim me kandidatët meshkuj.

“Pa dyshim një qasje e tillë e partive politike dëshmon problemet serioze dhe mungesën e respektit për qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit në partitë politike. Po ashtu, edhe në këto zgjedhje, partitë politike kanë dëshmuar mungesë respekti për t’iu dhënë hapësirë kandidimit të grave, ku është një numër i papërfillshëm i kandidaturave në krahasim me kandidatët meshkuj”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, analisti Shemsi Jashari për GazetaBlic thotë se për Zgjedhjet e Tetorit partitë kanë vënë emra të rinj, kjo për faktin se ka ndryshime edhe në lidership.

“Partitë politike në zgjedhjet e shpallura për tetorin e këtij viti kanë futur në lista shumë emra të rinj duke filluar nga emrat për kryetarë të komunave e edhe per asamblistë, disa prej tyre janë emra të dëshmuar me përvojë politike e shumica prej tyre janë emra të rinjë por që nuk kemi një CV që premtojnë profesionalizëm, e që mbetet për të parë si do të performojnë.

Arsyeja pse kemi një numër të madh të figurave të reja është për arsye se kemi edhe ndërrim të lidershipit të partive LDK dhe PDK, e që kjo ka reflektuar edhe figurat politike në nivelin lokal”, tha ai.

Në anën tjetër, sa i përket rezultatit, Jashari pret që ai i zgjedhjeve qëndrore, të reflektojë edhe në ato lokale. Tutje, mungesën e përvojës tek kandidatët e rinj e sheh si problemin kryesor potencial.

“Unë pres që rezultati zgjedhor i nivelit qendror të reflektoj edhe në nivelin lokal dhe kjo mund të sjellë risi në emrat e kryetarëve të rinj në nivelin lokal.
Unë pres më shumë dëshirë dhe angazhim nga kryetarët e rinj por më pak rezultat, pasi kanë pak përvojë politike dhe menaxheriale në menaxhim publik.

E njëjta shihet në emrat e kandidatëve për asamble që kanë pak përvojë në punët publike dhe kjo do të paraqes problem në hartimin e rregulloreve dhe miratimit të dokumenteve strategjike”, përfundoi ai.

/GazetaBlic/