Të dielën e 7 dhjetorit, në orën 23:59, do të përfundojë afati për subjektet politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Partitë politike deri tani veç kanë bërë publike disa nga emrat që do të jenë kandidatë për deputetë, por ata do të kenë kohë edhe nesër për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha gjatë ditës së sotme se të gjithë kandidatët do të verifikohen nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës do të zhvillohen më 28 dhjetor.
Në garë janë 24 subjekte, përfshirë dhe Listën Serbe, të certifikuar pas ankesës në PZAP, si dhe Nismën, pas plotësimit të dokumentacioneve të nevojshme.
Deri më tani, partitë kryesore në garë kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar kreun e partisë, Albin Kurti, Partia Demokratike do të garojë me kreun e ri të partisë, Bedri Hamza, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku për postin e kryeministrit dhe AAK-ja, Ramush Haradinajn.
Që të katër këta udhëheqës partiakë ishin kandidatë për kryeministër edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

