Sporti

Parashikimi i superkompjuterit: Arsenali favorit ndaj Real Madridit në Champions League

04/08/2025 09:04
nga:Lorik J

Një studim superkompjuterik nga Opta ka llogaritur shanset e skuadrave të Champions League për të fituar turneun, si dhe për të arritur në gjysmëfinale.

Surpriza e madhe kur analizohen të dhënat nga studimi është se Arsenali ka një avantazh ndaj fituesit aktual të trofeut të Champions League – Real Madrid, përcjell GazetaBlic Sport.

Topçinjtë presin në stadiumin Emirates skuadrën spanjolle sonte në ndeshjen e parë çerekfinale. Real Madridi ka fituar dy nga tre edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve dhe gjashtë nga 11 edicionet e fundit.

Edhe pse pesha e historisë është në anën e Real Madridit, superkompjuteri i Opta beson se Arsenali ka një avantazh të ngushtë. Topçinjtë, të cilët nuk kanë fituar kurrë Champions League, kanë 50.2% shanse për të arritur në gjysmëfinale, ndërsa Real Madrid ka 49.8%.

Ndeshja tjetër mes Bayern Munichut kundër Interit zhvillohet sonte në Allianz Arena në orën 21:00. Aty raporti në përqindje është gjithashtu i balancuar, ku superkompjuteri i jep përparësi Interit, i cili ka 51.5% shanse për t’u avancuar dhe për bavarezët përqindja është përkatësisht 48.5.

Të mërkurën, Barcelona pret Borussia Dortmundin në ndeshjen e parë çerekfinale në stadiumin Luis Companias. Katalanasit janë favoriti i qartë mes çifteve çerekfinale. Skuadra e Hansi Flick ka 78.2% shanse për të kaluar në gjysmëfinale, ndërsa Dortmund vetëm 21.8%.

Paris Saint-Germain konsiderohet gjithashtu favorit kundër Aston Villas, megjithëse ndeshja e kthimit është në Villa Park. Parisienët kanë 71.3% shanse për të kaluar në fazën tjetër, ndërsa skuadra angleze është 28.7%.

Ndoshta gjëja më interesante është se cila skuadër ka më shumë shanse për të triumfuar në kompeticion.

Ja si duket renditja e favoritëve për të fituar Champions League, si dhe përqindja:

Barcelona 23.1%
PSG 19.3%
Arsenal 15.6%
Inter 13.8%
Real Madrid 12.2%
Bayern Munich 10.8%
Aston Villa 3.7%
Borussia Dortmund 1.5%

/GazetaBlic Sport/