Lajme

Parashikimi i Maliqit për zgjedhjet e 7 qershorit- ‘LVV mund të ketë rënie, rikthimi Vjosës deri diku e ndryshon lojën’

05/19/2026 13:24
nga:Y I

Publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur më gjerësisht rreth zgjedhjeve të 7 qershorit dhe aktualitetit politik në vend.

Maliqi duke folur për ndryshimet e fundit tek ish-partitë opozitare dhe se të njëjtat në zgjedhjet e shkurtit 2025 i patën fituar 52 deputetë dhe se nuk e shfrytëzuan rastin për të realizuar një koalicion qeverisës.

Ai duke renditur disa nga ‘huqjet’ e pushtetit gjatë qeverisjes 4-vjeçare, potencoi se kjo gjë nuk u kapitalizua nga ish-opozita.

“Tri partitë opozitare, që në shkurt të vitit 2025 e patën fituar shumicën e votës shqiptare, i kishin 52 deputetë, nuk e shfrytëzuan rastin që të bëjnë një
koalicion qeverisës duke u bazuar në një pajtuershmëri elementare që ka mundur ta bashkoj opozitën për një qeverisje konsoliduese. E kanë ditur të gjitha se qeveria Kurti gjatë mandatit katërvjeçar nuk i ka realizuar asnjërën nga pretimet e mëdha, se ka shkaktuar dëme të mëdha në raportet me SHBA-të dhe BE-në, e ka devalvu dialogun me Serbinë duke bërë marrëveshjen jo-transparente të Ohrit-Brukeslit, që s’ka pas guxim ta konsultoj opozitën e ka bërë krye në vete, dhe sidomos Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka mbetë mister, Kurti s’deshti ta çoj në Gjykatë Kushtetuese – a thua pse? Madje nuk e bëri këtë edhe kur ishte kusht i vetëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një gabim kolosal i tij si kundërshtimi i Marrëveshjes së Rambujes, apo të Planit të Ahtisarit etj. etj. Dhe opozita nuk ka ditë t’i shfrytëzojë dhe kapitalizojë këto huqje.Rivaliteti i dy partive më me ndikim PDK-së dhe LDK-së për vendin e dytë, dhe opozitarizmi i vobektë, ia dha Kurtit gjithë hapësirën për inxhinjering të votës, sidomos atë të diasporës” deklaroi Maliqi.

Ai tha se tek partitë ish-opozitare në këto zgjedhje kanë ndodhur disa ripozicionime, ç’ka sipas tij mund të ndikojë në një rezultat më të favorshëm për këto subjekte politike.

Maliqi potencoi se rikthimi i Osmanit deri diku e ndryshon ‘lojën’.

“Opozita më në fund i ka nxjerr disa mësime, dhe në këto zgjedhje të treta të përgjithshme brend 16 muajsh, kanë ndodhur ripozicionimet dhe freskimet që mund të ndikojnë në një rezultat më të favorshëm për opozitën, e cila në dhjetor përjetojë debakël.Faktori kryesor që deri diku e ndryshon lojën është rikthimi i ish presidentes Vjosa Osmani në LDK, ku ajo figuron si kandidate potenciale presidenciale (vota e 7 qershorit s’është për presidente – vetëm i jep LDK-së kredibilitetin e rikandidimit). Osmani në vitin 2021 pas marrëveshjes me Kurtin, i dha si peshqesh LVV rreth 100 mijë vota, duke krijuar një binom populist në pushtet, ‘Baba Albinin dhe Nëna Vjosën’. Divorci i këtij binomi sigurisht që do të ketë ndikim në zgjedhjet e 7 qershorit, nëse Osmani do të mund t’i kthente ato 100 mijë vota te LDK-ja, kjo do të përmbyste raportet, por nuk është e sigurtë se do të ndodh mekanikisht në këto përmasa. Veçse, sigurisht, një kontingjent i madh adhuruesëve të ‘nëna Vjosë’, do ta dëmtojnë seriozisht ambicien e ‘Babës Albin'” potencoi Maliqi.

Publicisti Maliqi foli edhe për ndryshimin e fundit në AAK, kandidimin e Ardian Gjinit për Kryeministër.

Ai tha se kjo mund t’a rrisë votën e AAK-së dhe se i njëjti është një ndër politikanët më të aftë në Kosovë

“Sa i përket kandidimit të Ardian Gjinit për kryeministër nga ana e AAK-së, te Haredinajt ka mbizotëruar realizmi se Gjini si figurë e popullarizuar në
Gjakovë dhe Dukagjin, por edhe si një politikan modern dhe properëndimor, do të mund të siguronte rritjen e ndjeshme të votes për AAK-në, edhe në
shtresat që tradicionalisht e kanë votuar “krahun e luftës”. Madje, edhe një pjesë e zhgënjyer e votuesve të LVV-së, do të mund të përzgjedhnin Gjinin, i cili nuk duhet të shihet si “kukul” e Ramushit, sepse gjithnjë e ka pas integritetin dhe autonominë politike si njëri ndër kryetarët më të sukseshëm të komunave. Gjini është një ndër politikanët më të aftë në Kosovë”

Ndërsa sa i përket PSD-së, Maliqi, pohoi se të njëjtit janë një grup i artikuluar opozitar dhe se do të dëshironte t’i shihte në parlament.

“Sa i përket PSD-së, partisë që e kam pas formuar në shkurt të vitit 1990 së bashku me Arben Xhaferin, Muhamedin Kullashin, Anton Kolë Berishën dhe disa kolegë filozofë dhe intelektualë (përkrahë e kemi pas, si ndërtues të platformës edhe profesor Femi Aganin), mirë është që më në fund marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, kanë qenë mjaft active me protesta dhe janë grup i artikuluar opozitar, dhe do të kisha dëshirë që ta kalojnë pragun, nëse kanë arritur që të imponohen te disa shtersa si alternative opozitare” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”.

Maliqi parashikon që në zgjedhjet e 7 qershorit të ketë ndryshime dhe s’e partia që është aktualisht në pushtet të ketë rënie.

“Si përfundim, mendoj se me 7 qershor do të kemi ndryshim. Matjet e opinionit, s’di sa janë kredibile, e paralajmërojnë rënien e partisë që e ka stërzgjatur mbetjen në pushtet si ushtrues detyre. Edhe vetë ky fakt do të duhej të penalizonte Kurtin, sepse po bën keqëpërdorime të shumta gjatë ushtrimit të detyrës me kompetenca të kufizuara– si p.sh. emërime të paligjshme në poste qeveritare, te prokuroria, gjykatat dhe bordet e ndërmarjeve publike” deklaroi Maliqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/