Lajme

Parashikimi i analistit politik: Me këtë qasje, PDK-ja mund ta humbë Drenasin

08/09/2021 22:04
nga:M K

Vazhdon edhe më tutje të jetë një nga temat më të diskutuara të ditës.

Fjala është për kandidaturat për zgjedhjet lokale, gjegjësisht atë të PDK-së në komunën e Drenasit, përcjell GazetaBlic.

Përderisa Dritan Ajazi fitoi besimin e strukturave të degës së kësaj partie, sot selia qëndrore ia besoi kreut aktual, Ramiz Lladrovcit edhe një mandat/kandidimi.

Ajazi, nuk u pajtua me vendimin e Krasniqit, teksa ka paralajmëruar edhe kandidimin e patjetërsueshëm, por me emrin “Dekada e Re për Drenasin”.

Krasniqi e mbështeti Lladrovcin për kryetar të Drenasit, vjen reagimi i Driton Ajazit: Do t’i shkojmë deri në fund

Në anën tjetër, Lladrovci ka thënë se do të angazhohet maksimalisht që ta bëjë bashkë degën, teksa sa i përket besimit të qytetarëve, thotë se me punën në mandatin që po përfundon, e ka dëshmuar se e meriton sërish besimin.

Dega e Drenasit nuk po e mbështetë, qendra po – Ramiz Lladrovci flet për herë të parë pas konfirmimit si kandidat për kryetar komune

Ndërkaq, analisti politik, Shemsi Jashari, mendon se injorimi për një kohë të gjatë i kërkesave dhe shqetësimeve të strukturave të PDK-së në nivel të degëve është problem që vet PDK-ja nuk mund ta amortizojë.

“Injorimi për një kohë të gjatë i kërkesave dhe shqetësimeve të strukturave të PDK-së, në nivel të degëve anëkend Kosovës është problem që drejtuesit e ri të PDK-së, nuk mund ta fshehin e as amortizojnë më.

Për një kohë të gjatë nëpër degë në nivel komunash kanë sunduar struktura joformale, kryesisht njerëz të fuqishëm financiarisht dhe që ishin të afërt me drejtuesit në nivel qendror, perderisa struktura që grumbullonte votën për PDK-në, ishte e anashkaluar dhe nënçmuar e pa kurëfarë ndikimi.

Ajo që ka ndodhur dhe po ndodhë në Drenas shpërfaq një realitet me të cilin PDK-ja, duhet të përballet, dhe nëse e injoron do t’i kushtojë shumë”, vazhdoi ai.

Tutje Jashari beson se ky problem mund t’ia humbë bastionin e Partisë Demokratike, ku për bazë mori faktin se bastionet tashmë kanë filluar të humben dhe se asnjë komunë nuk mund të konsiderohet e tillë.

Edhe pse teoritikisht është e natyrshme që z.Lladrovci të nominohet duke qenë se është shpallur kryetari më i mirë në nivel Kosove në përformancë, në aspektin praktik është gabim të injorohen strukturat të cilat e kanë sjellur në pushtet këtë kryetar.

Z.Lladrovci duhet ta kuptojë se ka obligime ndaj strukturës së partisë pasi aty, nuk ka shkuar si i pavarur por si përfaqësues i PDK-së. Ky është një tregues se kandidat për kryetar komunash duhet të jenë kryetarët e degëve në menyrë që të mos krijohen grupacione dhe përplasje të llojit të tillë si në Drenas.

Nëse nuk arrihet një marrveshje për të garuar si unik në zgjedhje PDK mumd ta humb një bastion të vetin që nga paslufta, kjo edhe për faktin se tashmë nga zgjedhjet e fundit është treguar se bastionet kanë filluar të bien”, përfundoi Jashari.

/GazetaBlic/