Lajme

Paralajmëron shoqëria civile: Mund të ketë masa të reja ndaj Kosovës!

02/29/2024 13:02
nga:Y I

Pranvera e vitit 2023 u shoqërua me tensione në veri të vendit.

Pavarësisht thirrjeve të Komunitetit Ndërkombëtar për deeskalim, situata e tensionuar vazhdoi, çka solli edhe vendosjen e masave nga BE-ja ndaj Kosovës me 28 qershor.

Por megjithëse kanë kaluar tetë muaj nga vendosja e tyre dhe Kosova ka bërë hapa për shtensionim, masat ende vazhdojnë të jenë në fuqi.

Po pse spo hiqen masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës?

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri.

Ymeri tha se pavarësisht se Kosova ka bërë hapa për shtensionim, sipas tij, vendi ynë nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat.

Sipas Ymerit, shtensionimi, ndërlidhet me gadishmërinë e Kosovës për të bërë hapa drejt zbatimit të marrëveshjeve që dalin nga dialogu, veçanarisht themelimi i Asociacionit.

“Hapat për shtension që janë kërkuar nga BE kanë qenë jashtëzakonisht të qarta dhe të definuara saktë. Është e vërtetë që Kosova ka bërë disa lëvizje drejt tyre por nuk i ka plotësuar të gjitha. Megjithatë mendoj që pas sulmit invaziv terrorist të Serbisë në Banjskë sanksionimi i Kosovës si palë që po e rrezikon sigurinë e paqen bëhet më vështirë i kuptueshëm. Por përpjekjen drejt shtensionimit nuk duhet ta kuptojmë vetëm si të reduktuar në disa hapa konkret, por më shumë në kuptimin e gjerë të frymës e marrëdhënies që ndërtohet me komunitetin serb në këtë rast dhe me një vistër të gjerë qasjesh e politikash që i aplikon qeveria e Kosovës. Po ashtu shtensionimi ndërlidhet me gadishmërinë e Kosovës për të bërë hapa drejt zbatimit të marrëveshjeve që dalin nga dialogu e veçanërisht themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili shihet si rezultati përfundimtar i dialogut për sa i përket obligimeve që ka Kosova” tha Ymeri për “Gazeta Blic”

Ai tha se veprimet që merren nga Kosova dhe që rrezikojnë ngritjen e tensioneve, do të përdoren si arsye për mos-heqjen e masave e rrezikojnë të bëhen arsye për shtimin e masave të reja

“Në këtë drejtim vendimet e veprimet që ndërmerren nga institucionet e Kosovës te cilat rrezikojnë ngritjen e tensioneve dhe zvarritjen e zbatimit të marrëvëshjes do të përdoren si arsye për mos heqjen e masave e rrezikojnë të bëhen arsye për shtimin e masave të reja” deklaroi Ymeri.


Visar Ymeri!

E drejtori ekzekutiv i organizatës Çohu, Arton Demahasaj, tha se që nga fillimi masat u vendosën padrejtësisht.

Ai potencoi se nga “Marrëveshja e Bratisllavës” është shtuar edhe një kërkesë për heqjen e tyre siç është fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit.

“Unë mendoj se fillimisht edhe masat kur janë vendos nga ana e Bashkimit Evropian janë vendos padrejtësisht ndaj Kosovës për shkak se janë marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës për faktin se nuk po merr veprime për me shtensionu situatën në veri. Nga ana tjetër nuk u morën masa ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit. Nëse flasim për heqjen e atyre masave, Bashkimi Evropian, e ka bërë të qartë që masat nuk hiqen vetëm në bazë të kritereve që janë përcaktu në “Marrëveshjen e Bratisllavës”, pra është thënë që tani është shtuar edhe një kërkesë tjetër nga ana e BE-së, për me heq masat, që është fillimi i procedurave të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Për aq kohë sa ata i kanë vendosur këto kritere për me shku në drejtim të heqjes së masave nuk mendoj se kanë për t’i hequr për aq kohë sa nuk realizohen kërkesat që ata i kanë vendos” deklaroi Demhasaj për “Gazeta Blic”.


Arton Demhasaj

Ndërsa Drejtori Ekzekutiv i ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari, tha se pavarësisht se Kosova i ka bërë disa hapa drejt shtensionimit të situatës në veri, të njëjtit kanë bërë edhe hapa që janë në kundërshtim me kërkesat e aleatëve.

Jashari tha se ato do të vazhdojnë të mbesin në fuqi përderisa kjo qeveri krijon kriza dhe drama të panevojshme.

“Kosova i ka bërë disa hapa drejt shtensionimit, por ka bërë edhe disa tjera që kanë qenë në kundërshitm me kërkesat e aleatëve. Prandaj, masat mbesin në fuqi duke qenë se kjo qeveri vazhdimisht ka krijuar drama e kriza të panevojshme dhe ka marr barrën e fajit për mos përparim në dialog edhe kur nuk ka pasur përgjegjësi”

“Sjelljet populliste, i dhanë alibi Serbisë të kaloj në heshtje edhe rastin e Banjskes duke nxjerrë tema të pa rëndësishme për këtë fazë, siç ishte rasti i përdorimit të “Dinarit”. Po ashtu refuzuesve serb të shtetit të Kosovës, ua dha mundësinë të shihen si viktima edhe pse ne e dimë që nuk janë.Heqja e masave ka të bëjë me sjelljën e kësaj qeverie, me veprimet befasuese për aletaët!! Kjo qeveri duhet të ndryshoj qasje ndaj aleatëve, pastaj hiqen masat” deklaroi Jashari për “Gazeta Blic”.

Shemsi Jashari!

Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 etj.

/Gazeta Blic/