Shaip Surdulli, ish-Kryetar i Kamenicës ka theksuar për emisionin “Expose” se në fshatin Karaçevë kanë nisur sërish të ndërtohen kazino të reja.
Sipas tij, pavarësisht vendimit të ish- ministrit të Brendshëm Agim Veliu, në fshatin kufitar me Serbinë aktualisht vepron një kazino, derisa edhe tri te tjera janë në proces të hapjes.
“Pas vendimit të qeverisë (për ndalimin e kazinove e lojërave të fatit v.y.), kanë funksionuar ndoshta më shumë se 1 vit lojërat e fatit në Karacevë. Siç dihet ndodhi edhe shkatërrimi i tyre me vendim të qeverisë, gjegjësisht ministrit të punëve të brendshme z. Agim Veliu”, ka theksuar ai.
Sipas tij, që prej atëherë vetëm një kazino ka vepruar, e cila nuk ishte ndërtuar për veprimtari të kazinos.
“Në atë objekt ka muzikë dhe aty brenda ka edhe kazino. Por, për fat të keq aty janë ndërtuar edhe dy kazino tjera dhe ka tendecna që të ndërtohen edhe të tjera. Kjo për shkak se ata të cilët i kanë pasur kazinot kur t’i shohin se kanë fillu ndërtimet, me siguri tentojnë të krijojnë të reja duke menduar se ajo zonë është zonë neutrale dhe aty nuk mund të intervenojë Policia e Kosovës”, tha ai për emisionin “Expose”.
Ky ish Kryetar i Kamenicës i cili është edhe banor i fshatit Karaçevë pohon se ndihen të rrezikuar nga prania e kazinove në atë pjesë.