Analisti politik nga Kosova, Miodrag Marinkoviq, tha sot se ministrat e Qeverisë së Serbisë, të udhëhequr nga kryeministrja Ana Brnabiq dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, do t’u tregojnë serbëve “të vërtetën e vështirë” për të ardhmen e tyre pas pranimit të Marrëveshjes së Ohrit, përcjellë GazetaBlic.
Marinkoviq tha se për një kohë shumë të gjatë, Beogradi përdori një “narrativë patriotike” për të mashtruar serbët në Kosovë se do t’i mbronte interesat e tyre, por që tani, pas pranimit dhe zbatimit të marrëveshjes franko-gjermane, këtij mashtrimi po i vjen fundi.
“Në periudhën e kaluar, me premtime të ndryshme, Beogradi ngriti pritshmëritë e serbëve në veri të Kosovës, veçanërisht në krizën e fundit me barrikada, kur shumë prisnin që territori të ndahej. Megjithatë, për habinë dhe zhgënjimin e shumicës së serbëve të Kosovës, Beogradi i pranoi të gjitha kushtet e Prishtinës dhe të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Marinkoviq, i cili është kryetar i OJQ-së Qendra për Veprime Afirmative Sociale nga Mitrovica e Veriut.
Sipas tij, në takimin e ardhshëm me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, presidenti dhe kryeministrja serbe dhe të gjithë ministrat në Qeverinë e Serbisë do të kenë obligim të thonë se çfarë është pranuar me marrëveshjen franko-gjermane.
“Kryetari i Qeverisë së Serbisë në Rashkë do të përpiqet t’u shpjegojë serbëve të Kosovës se është dashur ta pranojë marrëveshjen franko-gjermane dhe në këmbim do t’u premtojë serbëve ndihmë ekonomike dhe Asociacionin e Komunave Serbe. Nëse Vuçiq nuk u vërteton ndërmjetësuesve ndërkombëtarë se zbatimi i asaj marrëveshjeje është i mundshëm, ai nuk do të jetë një bashkëbisedues i besueshëm”, tha Marinkoviq.
I pyetur se çfarë mund të shpresojnë serbët pas pranimit të marrëveshjes franko-gjermane dhe marrëveshjes së Ohrit, Marinkoviq tha se do të shfaqet një realitet i ri që do të jetë krejtësisht i ndryshëm nga ai që ka premtuar Beogradi prej vitesh.
“Zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane do të sigurohet nga besnikëria partiake që Vuçiq e ndërtoi mbi besnikërinë dhe privilegjet përmes Listës Serbe. Në anën tjetër, shoqëria serbe në Kosovë nuk ka potencial për ndonjë protestë të madhe sepse liria e fjalës është e mbytur dhe nuk ekziston pluralizmi politik. Gjithashtu, kushdo që nuk mendon si qeveria në Beograd është cak i sulmeve të tabloidëve të regjimit dhe Listës Serbe”, shpjegoi Marinkoviq, përcjellë GazetaBlic.


