Lajme

Paralajmërohet kryeministri Kurti: “Revoltat sociale kanë rrënuar sistemet më totalitare”

12/14/2021 18:14
nga:M K

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta buxhetojë ligjin për paga, të mbetur në gjysmë në Qeverinë Haradinaj.

Dreshaj i tha Kurtit të mos i selektojë kategoritë lidhur me deklarimin e pasurisë.

“Ju lus, z. kryeministër, kudo që jeni, buxhetoni ligjin për paga dhe njëkohësisht mos i selektoni kategoritë e caktuara për deklarim të pasurisë. Mos e bëni këtë. Bëjeni për të gjithë punëtorët e paguar nga buxheti, dhe jo vetëm”, tha Dreshaj.

Ai u kujdes që t’ia përkujtojë kryeministrit, që, siç tha, revoltat sociale i kanë rrënuar edhe sistemet më totalitare.

“Unë jam për deklarim të pasurisë për të gjithë punëtorët që paguhen nga buxheti, pa dallim, por jo kështu duke selektuar kategori të caktuara. Ju përkujtoj se revoltat sociale kanë rrënuar sistemet më totalitare, dhe këtë e dinë të gjithë. Jua rikujtoj rastet në Evropën Juglindore dhe Bashkimin Sovjetik”, tha Dreshaj.

“Ju bëj apel, buxhetojeni ligjin për paga, kthejuni dialogut social, në të cilin aq shumë keni punuar dhe e keni proklamuar. Largojuni etiketimeve dhe ndëshkimeve. Kjo rrugë është qorre. Ky popull ka vuajtur mjaft, nuk kemi nevojë që edhe ne t’ua shtojmë vuajtjet”, shtoi ai.