Lajme

Paralajmërohet erë e fortë për nesër në Prishtinë, Komuna del me udhëzime për qytetarët

01/24/2026 10:19
nga:Sh R

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar për erë të fortë për të dielën krahas thirrjes për qytetarët që të kenë kujdes të shtuar.

“Bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të kryeqytetit.

Në këtë njoftim, qytetarët u udhëzuan që të sigurojnë objektet e lehta në ballkone, çati apo oborre dhe që të kenë kujdes kur lëvizin në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.

Njoftimi i Drejtorisë:

📌 Shpejtësia e erës

• Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë)

• Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë)

Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.

📌 Udhëzime dhe këshilla për qytetarët

Pa krijuar panik, ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel:

• Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).

• Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.

• Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.

• Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.

• Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente.

📞 Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 0800 122 44 ose 0800 122 33.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.

Qëndroni të informuar, tregoni kujdes dhe bashkëpunim.