Lajme

Paralajmërimi për masa të reja/ Qeveria i reagon BE-së: Thellohet padrejtësia – po zbatojmë sundimin e ligjit

08/08/2024 18:54
nga:G B

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar masa të reja ndaj Kosovës, pas zhvillimeve në veri, mbylljes së degëve të postës serbe në Kosovë dhe vendimit për hapjen e urës së Ibrit.

Kështu deklaroi sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

E, masat nuk janë zgjidhje, sipas Qeverisë së Kosovës.

Kështu tha për Gazeta Blic, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, masat kanë qenë dhe janë të padrejta, derisa pyet se çka ndërmori BE ndaj Serbisë për sulmin e Banjskës.

“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmorri BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, thotë Kryeziu.

Ai thekson nevojën për mbështetje nga BE e SHBA-të për respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, potencon zëdhënësi i Qeverisë për Gazeta Blic.

Po ashtu, ai shton se mbyllja e zyreve të postës është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli në vitin 2015.

“Mbyllja e nëntë zyreve të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale, është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015, përveçse kontributi i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”, deklaron Përparim Kryeziu./Gazeta Blic/