Lajme

Paralajmërimi i SBASHK-ut për grevë/ Flet eksperti i arsimit, kërkon reflektim nga Qeveria e MASHT-i

07/15/2024 16:32
nga:N K

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK), ka paralajmëruar grevë në muajin shtator. Kjo sipas ekspertit të arsimit po shihet si kërcënuese, sepse sipas tij kjo gjë po ndodhë çdo vit dhe nuk ka të drejtë të kufizojë procesin mësimor.

Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, në një intervistë për GazetaBlic, ka theksuar se nuk ka ndonjë argument që pason ndërprerjen e procesit mësimor për shkak të pagave më të larta.

“SBASHK-u i ka arsyet e veta të garantuara në ligjin për organizimin sindikal dhe kundërshtimet e tyre kanë bazë dhe të drejtë kushtetuese dhe ligjore. Në asnjë moment nuk është e drejtë e tyre për të cenuar procesin mësimor, të gjithë kushdo të jetë i përfshirë brenda sektorit të arsimit, qoftë nga komuniteti i mësimdhënësve, prindërit dhe nxënësit e kuptojnë sa i rëndësishëm është profesioni i mësimdhënies, ndërsa shumë meriton nëse e kufizojmë me kompensim financiar. Mirëpo, në të njëjtën kohë, unë nuk besoj që askush nuk mund të na jep ndonjë argument që duhet të ndërpritet procesi mësimor për shkak të një rritje në pagë”, tha Qehaja për GazetaBlic.

Ndërsa, sa i përket grevave në sektorin e arsimit, për ekspertin e arsimit kërcënimet nga Sindikata duhet të jenë të caktuara vetëm në deklarata për qëllim të mos ketë pengesa në procesin mësimor.

“Çfarëdo paralajmërimi për ndërprerjen e procesit mësimor me të vërtetë është i pamatur dhe i padrejtë. Situata si kjo me kërcënime të tilla kemi të ripërsëritura nga viti në vit, jemi shumë në favor të grevës si reagim sindikal të pandërprerjes së procesit mësimor, pasi që greva nuk guxon të kufizojë mësimdhënien. Greva nënkupton edhe forma alternative të cilët mund të shfaqin reagime dhe pakënaqësinë e sindikatës krahas kërkesave të tyre. Jam i bindur në reflektimin të mirë të komunitetit të mësimdhënësve nga greva paraprake dhe shpresoj shumë që këto kërcënime për grevë të kufizohen vetëm në deklarata dhe në asnjë moment të mos cenohen në procesin mësimor”, potencoi ai.

Qehaja tutje apelon tek Ministria e Arsimit që të reflektojë në mënyrë që të mos ketë padrejtësi në mësim për nxënësit për mos furnizimin me libra shkollor.

“Nuk guxoj të mendoj se edhe këtë vit të ketë vonim të procesit të arsimit apo vonesa të teksteve shkollore për arsye shumë të thjeshta sepse ky format i subvencionimit ka një vit prapa, që do të thotë se kemi mësime shumë të mira dhe shumë gabime që Ministria e Arsimit është dashur të reflektojë, nuk ka kuptim dhe mbi të gjitha është padrejtësi ndaj nxënësve që edhe një vit pas ata të njëjtit të mos jenë të furnizuar me tekste shkollore”, potencoi.

“Mungesa me furnizim me libra duhet të vie si reagim nga komuniteti i prindërve pikë së pari, ne kemi një Këshill të Prindërve në nivel vendi, të cilët detyrimisht në vite të tëra reagojnë për çfarëdo lloj vonese në procesin mësimor, njëjtë edhe komuniteti i mësimdhënësve. Mirëpo, që të gjithë së bashku duhet njëzëri të komunikojnë me Qeverinë, është domosdoshmëria që tekstet shkollore me qenë në librari, lokale para muajit shtator, për të qenë fëmijët të pajisur me tekstet shkollore për fillim të vitit shkollor. Deri në vitin paraprak ne kemi pasur shpërndarjen e teksteve shkollore drejtpërdrejt nga institucionet arsimore dhe shtëpitë botuese tek DKA-të dhe DKA-të tek shkollat. Këtë modalitet Qeveria e Kosovës e ka ndryshuar përmes aplikimit në platformën E-Kosova dhe subvencionimi drejtpërdrejt”, përfundoi eksperti i arsimit Rinor Qehaja.

/GazetaBlic/

Rrahman Jasharaj paralajmëron greva në shtator