Mauricio Pochettino, trajneri i Paris Saint-Germain, siguroi se Bayern Munchen është favorit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, sepse ata janë kampionët aktual të kompeticionit.
“Favoriti është gjithmonë kampion, është skuadra më e mirë në botë tani. Bayerni është skuadra më e mirë në botë për momentin, ata sapo kanë fituar gjashtë tituj. Duhet ta respektojmë këtë”, tha Pochettino në konferencën për shtyp para duelit në të cilën nesër ata do të mbrojnë rezultatin 2-3 të arritur në ndeshjen e parë.
“Nëse e kalojmë raundin do të jetë diçka e rëndësishme për këtë klub, duke arritur në gjysmëfinale. Ne duhet të kemi një qëndrim të ndryshëm nga ai që kemi pasur në ndeshjen e dytë kundër Barcelonës. Ne jo vetëm që duhet të mbrohemi, por gjithashtu duhet të përpiqemi të marrim topin dhe të sulmojmë rivalin, kjo është sfida jonë e madhe”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport