Lajme

Paralajmërimi i ish-kryeinspektorit të AKI-së: Veprime të këqija janë përgatitur për Kosovën, të përgatiten NATO e sektori i sigurisë në vend

03/26/2024 18:25
nga:G B

Në Këshillin e Sigurisë të OKB-së të hënën, Rusia ka kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të futej në agjendën e takimit të 25 marsi.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore kanë abstenuar në votim duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake 25 vjet më parë të NATO-s ndaj ish-Jugusllavisë.

Ky zhvillim në OKB nga njohësit e sigurisë po vlerësohet si provokim nga Rusia e Serbia për Kosovën.

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani në një prononcim për Front Online thotë se Rusia e ka qëllim serioz destabilizimin e veriut.

Ramadani mendon se pas kërkesës se Rusisë në OKB, veprime të këqija janë përgatitur për Kosovën nga këto dy shtete.

Ai thotë se pas kësaj ngjarje vigjilenca e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe NATO-s duhet të jetë e lartë.

“Rusia ka për qëllim serioz që veri i Kosovës të destabilizohet, njëjtë sikur edhe Ballkani. Prandaj, ajo përdorë edhe mjetet diplomatike propaganduese, gjoja ka dashur të diskutojë edhe në KS të OKB-së paraprakisht. Pra, unë besoj se veprime të këqija mund të ketë planifikuar Rusia e Serbia pas kësaj kërkese. Prandaj, vigjilenca e sektorit të sigurisë kosovare dhe e NATO-s duhet të jetë e lartë në vazhdimësi”, u shpreh Ramadani.

Ish-kryeinspektori i AKI-së: Rusia po përdorë propagandë kundër Kosovës për të sulmuar Perëndimin

Burim Ramadani, ish-kryeinspektori i AKI-së duke folur për Front Online ka deklaruar se tash e dy dekada Rusia ka synim ta ndryshojë të vërtetën e Kosovës.

Ramadani thotë se Rusia po përdorë propagandë kundër Kosovës për të sulmuar Perëndimin.

“Propaganda ruse tashmë për më shumë se dy dekada ka pasur dhe ka për synim të përçudnojë të vërtetën e Kosovës. Përmes sponsorizimit të Raportit të Dick Martyt, Rusia ka kaluar në faza të ndryshme e të dëmshme për Kosovën. Është e qartë se Rusia e përdorë propagandën kundër Kosovës për ta goditur SHBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi”, theksoi Ramadani.

Arritjet e Kosovës do të rrëzojnë propagandën dhe dezinformimin rus, thotë Ramadani.

“Vetëm konsolidimi i demokracisë, vlerave euro-atlantike dhe arritjet e Kosovës në integrime ndërkombëtare do të rrëzojnë përgjithmonë propagandën dhe dezinformimin rus në raport me Kosovën. Lufta Hibride ruse është e ashpër dhe tejet aktive”, tha ai për Front Online.