Lajme

Paralajmërimi i inteligjencës amerikane për dhunë ndëretnike, Serwer: Serbia është agresori kryesor në veri

03/12/2024 20:43
nga:G B

Agjencia e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një raport të publikuar të hënën, ka paralajmëruar se mund të ketë një kërcënim në Ballkanin Perëndimor – pra rajoni mund të jetë epiendër e dhunës ndëretnike.

Raporti i referohet ngjarjeve të fundit, si sulmi i armatosur në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe tensionet e muajit maj 2023, ku përleshjet mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse.

“Ballkani Perëndimor – ndoshta – do të përballet me një rrezik të ngritur të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024 […] Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, u tha në raport, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ose në institucionet euroatlantike”, alarmon tutje raporti.

Eksperti amerikan, Daniel Serwer, ka komentuar raportin të cilin e ka shpërndarë në platformëm “X”, analisti i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, Jakub Bielamowicz.

Serwer thotë se të gjithë e dinë se nga kush mund të vijë ky kërcënim, duke përmendur sulmet e vazhdueshme të serbëve lokalë në veri, si dhe sulmin terrorist në Bansjkë.

“Kjo është e gabuar. Një incident ishte një sulm serb ndaj trupave të NATO-s. Në një incident të veçantë, policia e Kosovës ndaloi me sukses një komplot serb që synonte të ofronte justifikimin për një avancim ushtarak serb në Kosovë. Ka një agresor në veri të Kosovës. Duhet ta kemi të qartë se kush”, shkroi Serwer.