Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, pastaj edhe universitetet, por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme, pasi që sipas tij, qeveria “Kurti” nuk i ka përfillur kërkesat e sindikatave për dialog dhe se kjo qeveri nuk po i fton sindikatat për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave.
Jasharaj në një prononcim për GazetaBlic, thotë se pas gjithë angazhimit të tyre, Qeveria nuk i ka lënë zgjidhje tjeterër, përveç grevës.
Ai shton, se do të ketë një grevë para fillimit të procesit mësimorë dhe në qoftë se nuk reflekton Qeveria, atëherë nga data 1 shtator fillon greva e përgjithshme.
“Fatkeqësisht pas gjithë angazhimeve tona që nga viti i kaluar që të kemi dialog me Qeverinë Kurti, pas shumë shkresave, protestave dhe angazhimit të ndërmjetësuesit ligjor, të gjitha këto nuk dhanë asnjë rezultat, andaj ne kemi vendosur të përgaditemi për grevë. Ne me 24 gusht kur mësimdhënësit së fundi kthehen në shkolla, do të jenë në grevë, do ta bëjmë edhe këtë hap. Pra një grevë para fillimit të vitit shkollor, me qëllim që qeveria ta ketë si afat të fundit të ulet të dialogoj me ne, nëse kështu vazhdohet dhe nëse qeveria edhe këtij angazhimi do t’i hesht, atëherë me 1 shtator do të kemi grevë të përgjithsme”, thotë ai.
Sipas tij, kjo është mundësia e fundit që Qeveria t¡ pranoj ekzistencën e sindikatave.
“Kjo është mundësia e fundit për t’i shprehur pakënaqësitë tona. Qveria duhet ta dijë që sindikatat në Kosovë ekzistojnë. Dhe jo vetëm arsimi, por edhe sektorët tjerë do të jenë në grevë”, deklaron ai.


