Lajme

Paralajmërimi i frikshëm – Eksperti: Nëse Qeveria s’i ndali veç përkohësisht kriptot, mund të bëhemi si në Kazakistan

01/11/2022 10:46
nga:Gazeta Blic

Eksperti i Sigurisë Kibernetike, Driart Elshani, beson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndaluar prodhimin e kriptovalutave, është i përkohshëm.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Elshani thotë se nëse vendimi i ekzekutivit është që mihja të ndalohet përgjithmonë, do të ishte një gabim i madh, pasi që mund të ndodh ajo se çfarë ka ndodhur në Kazakistan dhe në Iran, ku shumë pjesëtarë të kriptos do të migronin në vende të tjera ku iu lejohet mihja e kriptovalutave.

Madje, ai thotë se pajisjet e konfiskuara do të duhej të ju ktheheshin pronarëve pasi që shumë prej tyre janë të shtrenjta.

“Ka ndikim të madh negativ te shumë prej pjesëtarëve të komunitetit kripto. Ata kanë investuar në shumë pajisje të shtrenjta që tashmë iu kanë konfiskuar dhe shpresoj shumë që ato pajisje të ju kthehen sepse janë të tyre dhe nuk ka kuptim që t’ju sekuestrohen përgjithmonë. Mendoj që do të ndikojë në demotivim, por kur jeni në këtë biznes të kriptovalutave, atëherë në momentin aktual ka aq shumë të panjohura dhe mund të ndodhë që një qeveri të bjerë një vendim të tillë dhe gjithçka ndërpritet, andaj mund të ketë migrim të pjesëtarëve të kriptos në vendet e tjera siç po ndodh në Kazakistan, mendoj se mund të ndodhë edhe në Kosovë. Ky lloj vendimi besoj që ka natyrë të përkohshme sepse mendoj që është gabim i madh nëse mihja ndalohet përgjithmonë”, ka thënë ai.

Elshani në këtë intervistë thotë se Kosova nuk ka ligj dhe strategji për krijimin e kriptovalutave, andaj duhet ta hartojë një të tillë.

“Mendoj që në rastin e Kosovës sigurisht që duhet të ketë një lloj rregullimi të këtij sektori, sepse aktualisht dhe jo vetëm në Kosovë por edhe në shumë shtete të botës, mihja e kriptovalutave është komplet e parregulluar dhe për këtë arsye në shtetet perëndimore ekzistojnë kampanja dhe fushata në lidhje me risqet e kriptovalutave”, tha më tej ai.