Lajme

Paralajmërimi i ‘fortë’- Nëse Qeveria nuk themelon Asociacionin, do të sanksionohet thellë nga SHBA-të

12/15/2022 20:00
nga:Genita C

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thotë se tashmë është e qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundur.

Në një prononcim për GazetaBlic, Qalaj thotë se ky Asociacion duhet të formohet pasi po kërkohet nga miqtë tanë ndërkombëtar.

“Kërkesa e Escobarit për themelimin e Asociacionit është kërkesë e SHBA-ve për Qeverinë e Kosovës. Mënyra se si u shpreh Escobari i cili theksoi që “nëse Qeveria e Kosovës nuk formon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, atëherë do ta bëjmë ne”, besoj që është një mesazh i qartë për Qeverinë që ky Asociacion duhet të formohet”, tha Qalaj.

I pyetur se cilat do të jenë pasojat, nëse Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qëndrimin për Asociacionin, Qalaj thotë se është herë të flasim, por sipas tij deklaratat e fundit të Escobarit duhet të merren seriozisht, Qeveria të veprojë me kujdes të madh në hapat që do të merr tash e tutje.

“Se nëse nuk themelohet ky Asociacion, atëherë për pasojat është herët të flasim. Duhet të shikojmë se si po zhvillohen ngjarjet, unë po e shoh që është një qasje shumë serioze nga SHBA-të për shumë tema ku këtu përfshihet edhe formimi i Asociacionit, gjithmonë duke e ditur se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015 ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pikat të saj, nuk është në harmoni me Kushtetuën e Kosovës, ne duhet të jemi të kujdesshëm se si po veprojmë”, shtoi Qalaj.

“SHBA-të i kemi partnerët kryesor strategjik dhe mendoj që Qeveria e Kosovës duhe ta trajtojnë më seriozitet këtë çështje”, tha Qalaj.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi thotë se çështja e Asociacionit është në duart e Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e ka në dorë këtë punë dhe ajo duhet të vendos, e ka edhe shumicën parlamentare. Ne opozita veç po e shohim se çfarë do të bëjnë”, tha Bytyqi.

Bytyqi për GazetaBlic, thotë se edhe nëse Qeveria nuk formon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nuk do të ketë eskalim të situatës në vend, pasi sipas saj deklarata e Escobarit ka dhënë një mesazh dhe një mbështetje të fortë për Republikën e Kosovës.

“Ne e kemi parë deklaratën e Escobarit që e ka dhënë një mesazh shumë të fortë dhe për sigurinë e Kosovës, gjë që na mundemi me fol gjithqka, por pa vendos dhe pa e pasur një bashkëpunim me SHBA-të, ne nuk mundemi të arrijmë asnjë rezultat të duhur. Duhet një marrëveshje me SHBA-të, që pastaj të mund të ecim më tutje”, tha Bytyqi.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet, sa më shpejt që është e mundur.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic, tha se themelimi i asociacionit është parakusht që të mund të fillojë dialogu final Kosovë-Serbi.

“Deklaratat e Escobarit e bën të qartë qëndrimin e SHBA-ve, pra Asociacioni i komuanve me shumicë serbe duhet të themelohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në njëfarë mënyre si një parakusht që të mund të fillojë dialogu final”, tha Arifi.

Arifi shton se nëse nuk ka ndonjë lëvizje nga Qeveria e Kosovës, atëherë këta të fundit sipas tij do të rrezikohen nga sanksionimi i thellë i SHBA-ve.

“Në këtë rast, Qeveria e Kosovës ka edhe zotime ndërkombëtare nga këndvështrimi i SHBA-vë, pra ashtu si e prononcoi Escobari. Nga ana tjetër, nëse nuk ka lëvizje në këtë drejtim atëherë me siguri do të ketë sanksionim më të thellë të Qeverisë së Kosovës, se për çfarë sanksionimi bëhet fjalë mbetet të shihet”, përfundoi Arifi për GazetaBlic.

Kujtojmë se, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha dje se shpreson që së shpejti të hiqen barrikadat në veri të Kosovës, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.

Në një intervistë për N1, ai tha se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u shpreh se njëra palë nuk duhet të heqë dorë nga ajo.

“Nëse qeveria nuk fillon ta bëjë këtë, ne do ta bëjmë. Unë do të punoj me ata njerëz për ta bërë atë realitet”, tha Escobar.

Escobar: Nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon Asociacionin, ne do ta bëjmë