Lajme

Paralajmërimet për rritje të energjisë elektrike, Ymeri: Nuk zhvatet popullata nga një pushtet mashtrues me anë të tubimeve

01/29/2026 15:00
nga:Genita C

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke akuzuar ZRRE-në, Qeverinë në detyrë dhe KEK-un për heshtje, mungesë plani dhe keqmenaxhim, raporton GazetaBlic.

Ajo tha se nën udhëheqjen e Albin Kurtit sistemi energjetik i ka shërbyer tregtarëve të energjisë, ndërsa qytetarët janë zhvatitur përmes shtrenjtimit dhe mungesës së transparencës institucionale.

Postimi i plotë:

Po kërkohet edhe një herë shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Ku ishte ZRRE deri tash? Heshtje. Pa plan. (Taktikë, sigurisht.)

Po ministrja e kryeministri në detyrë ku ishin?

Duke promovu me pompozitet “sukseset” në sektorin e energjisë. Propagandë për me mbajt popullin në amulli.

Po KEK-u, pasuria jonë publike? Rënie blloqesh, keqmenaxhim, prej fillimit deri në fund të vitit.

Ky sistem, nën Kurtin, që nuk i bën zë mafisë energjetike, kujt i ka shërby?

I ka shërby tregtarëve të energjisë në zhvatje të popullit.

Veç ta dijmë e ta themi qartë, këtu e tani: heshtja e të ashtuquajturve zyrtarë e “profesionistë” , shefa, anëtarë bordesh, drejtora ekzekutiv në institucione e kompani publike të energjisë, e ka ndihmu këtë gjendje më shumë se tifozi ma i flaktë i VV-së.

Nuk zhvatet popullata nga një pushtet mashtrues me anë të tubimeve.

Varfërimi i xhepit të një populli bëhet para së gjithash nga heshtja e institucioneve publike në përulje ndaj pushtetit.