Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, do të organizojë sot takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, për të biseduar rreth vendimit për veprimet sindikale.
Në njoftim bëhet e ditur se takimi do të fillojë në orën 14:00.
“Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës organizon takimin e jashtëzakonshëm me kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve e në të cilin do të bisedohet dhe do të merret vendimi për veprimet sindikale nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë apo nëse nuk merren vendime të pranueshme lidhur me Ligjin e pagave dhe Implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive. (Salla e takimeve të Qendrës së Studentëve, te selia e SBASHK-ut, ora 14:00)”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, këtë takim e ka paralajmëruar të enjten kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai ka theksuar se ky takim është duke u organizuar si pasojë e vizitave të tij që i ka bërë në komuna për zgjedhjet e brendshme të SBASHK, duke shtuar se të gjithë e kanë ngritur çështjen e Ligjit të Pagave dhe atë se çfarë duhet të bëjë ky institucion sindikal.