Ish ushtaraku Afrim Veseli, ka folur për paralajmërimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për tensione dhe eskalim të situatës sërish në veri.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Vuçiq dhe Vulin do të bëjnë përpjekje për destabilizim të Kosovës dhe jo vetëm në veri.
“Padyshim se Serbia e Vuçiqit dhe Vulinit, do të bëjnë përpjekje për ta destabilizuar Kosovën. Dhe mendoj se jo vetëm në veri të atdheut. Ata me çdo kusht do të përpiqen që këtë ta realizojnë përmes serbëve lokal, të paguar, të tipit mercenar, pasi që mendoj se një pjesë bukur e madhe e serbëve të Kosovës janë lodhur nga jeta që iu është imponuar nga Serbia”, vlerëson ai.
Sipas kolonelit, Kosova duhet të jetë në gatishmëri për t’u përballur në qoftë se ndodh ajo, por pa ngjallur panik dhe duke u koordinuar me KFOR-in e EULEX-in.
“Kosova me institucionet e sigurisë duhet t’i ngrisin në heshtje masat e një gatishmëri për t’u përballur në rast se vjen deri te ajo. Por, pa shpërfaqur panik në popullatë. Koordinim dhe subkoordimin të plotë me KFOR dhe EULEX. E, sidomos me EULEX, për arsye politike ndaj Evropës”, shprehet Veseli për Gazeta Blic.

Ish ushtaraku Afrim Veseli
Ai thekson se “kjo do vazhdojë deri në marrëveshjen e paqes”.
Veseli shton se Qeveria duhet urgjentisht të veprojë me aleatët që të vihet deri te marrëveshja.
“Andaj, qeveria dhe politika duhet urgjent të veprojnë politikisht me aleatët që të vijë deri te marrëveshja, duke lënë anash popullizmin ngjyra-ngjyra të partive kosovare”, deklaron ish ushtaraku Afrim Veseli./Gazeta Blic/
Berisha: Bazat ushtarake serbe janë pikërisht kishat ortodokse në Kosovë!


