Lajme

Paradite i tha ‘mos je agjent i Serbisë’, në mbrëmje Haradinaj konfirmon takimin me Kurtin

05/20/2021 20:37
nga:M K

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, gjatë seancës Parlamentare që është mbajtur paradite, ka pasur akuza të rënda ndaj kryeministrit, i cili ka pyetur Albin Kurtin se a është rekrutuar nga shërbimet sekrete të Serbisë kur ishe në burg, ndërsa në mbrëmje ka pranuar që të takohet me kryeministrin Kurti, pasi që ky i fundit ka ftuar liderët partive opozitare.

Lulëzim Blakaj nga Departamenti për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në AAK, e ka konfirmuar për KosovaPress pjesëmarrjen e Haradinajt në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti.

“Po e konfirmojmë se takimi mes kryetarit Haradinaj dhe kryeministrit Kurti, me kërkesë të këtij të fundit, do të zhvillohet në fillim të javës tjetër”, tha ai.

Në njoftimin e kryeministrisë thuhet se takimet planifikohen të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.

“Kryeministri Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa gjatë seancës parlamentare, Haradinaj ka bërë akuzë të rëndë në drejtim të kryeministrit Kurtit, duke e pyetur se a jeni i rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe në kohën sa je mbajt në burg, shkruan Metro.

“Kam dy pyetje për kryeministrin Kurti. A jeni i rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe në kohën sa je mbajt në burg, pra a mban Serbia diçka mbi ty me të cilën të mbanë peng sot e kësaj dite, a është Kosova më e rrezikuar nga ti si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit në burg, apo nga çlirimtarët që janë detyrua me e mbajt pushkën në dorë me luftua për lirinë e vendit. Pra, duhet të deklaroheni njëherë e mirë sepse qarkullojnë gjatë këto”, tha Haradinaj në drejtim të Kurtit.

Duhet theksuar se Kurti sot u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend, Enver Hoxhaj (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK), dhe Ramush Haradinaj (AAK).

Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.

Deri me tani përveç Haradinajt, ende se kanë konfirmuar takimin me Kurtin.

LEXO EDHE:

Ramush Haradinaj e pyet Kurtin: A je rekrutuar nga shërbimet sekrete të Serbisë kur ishe në burg