Lajme

“Paradite e fyeni LDK-në, pasdite e lusni me nderime”/ Kica-Xhelili i reagon Muratit: Ju keni bllokuar, ne ofruam zgjidhje

05/07/2025 17:11
nga:G B

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj deputetit të VV-së, Hekuran Murati, derisa i ka thënë që ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit, se askush nuk po i ndal, raporton Gazeta Blic.

“Paradite shpifni e fyeni LDK-në që pasdite e lusni me nderime. As nuk kemi nevojë t’iu demantojmë më sepse ju përgënjeshtroni veten në sinkron”, ka shkruar ajo.

Përmes një postimi në Facebook, nënkryetarja e LDK-së ka thënë se VV ka bllokuar, ndërsa LDK ka ofruar zgjidhje.

“Meqë të duket zgjidhja skandaloze, DIL e tregoju sinqerisht qytetarëve se si apetitet tuaja janë më të rëndësishme se stabiliteti politik, pangopësia juaj determinuese në kapje të shtetit, e si gjuha e juaj skandaloze sot ju ka bërë partnerë të padurueshëm politik”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Postimi i saj i plotë:

Hekuran, zgjedhe more zotëri kryekuvendarin e qeverinë, kush po ju ndal? Çka po prisni nga ne nëse zgjidhjet tona nuk po ju përshtaten?

Paradite shpifni e fyeni LDK-në që pasdite e lusni me nderime. As nuk kemi nevojë t’iu demantojmë më sepse ju përgënjeshtroni veten në sinkron.

Qe 11 herë impononi kandidat të papranueshëm për Kryetar të Kuvendit, dhe interpretoni procese arbitrarisht.

Flisni në përsëritje të mërzitshme se si numrat për qeveri i keni, por jo për Kryetar Kuvendi.

Kosova është në krizë institucionale me Kuvend të bllokuar nga ju, çka e bën qeverinë tranzicionale zgjidhje pragmatike.

Zgjedhjet e reja, të mbajtura kaq shpejt pas atyre të 9 shkurtit 2025, vetëm do t’a thellonin polarizimin politik dhe rrisin apatinë e votuesve, me të drejtë.

Derisa ju bllokoni e shpërtheni në retorika banale, ne ofrojmë zgjidhje brenda kornizave realiste.

Meqë të duket zgjidhja skandaloze, DIL e tregoju sinqerisht qytetarëve se si apetitet tuaja janë më të rëndësishme se stabiliteti politik, pangopësia juaj determinuese në kapje të shtetit, e si gjuha e juaj skandaloze sot ju ka bërë partnerë të padurueshëm politik.

Doarsa