Lajme

Para një viti Vjosa Osmani kërkonte zgjedhje të menjëhershme

09/11/2021 22:22
nga:M K

Presidentja e vendit për dallim prej tani, një vit më parë, saktësisht më 2 Korrik të 2020-ës, pati kërkuar zgjedhje të menjëhershme, si i vetmi opsion për t’u legjitimuar.

Madje, ajo kërkonte që t’iu ktheheshin popullit, si pozita ashtu edhe opozita, përcjell GazetaBlic.

Atëbotë, ajo kishte zhvilluar një bisedë virtuale me Cédric Wermuth, që është nënkryetar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Osmani atëherë ishte shprehur se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejtë.

“Kur do të ketë zgjedhje? Të jem e sinqertë nuk e di. Shpresoj që kjo të bëhet së shpejti. Është me rëndësi zgjedhjet të ndodhin, të kthehemi tek populli, të rilegjitimohemi sikur pozita ashtu edhe opozita. Mendoj gjithashtu se dialogu është me rëndësi, por nuk e përbën jetesën në Kosovë, papunësia dhe luftimi i korrupsionit janë me rëndësi jetike”, pati deklaruar ajo.

Ndërkaq, tani, nuk është se po i mbështetë shumë, ani pse në të dy rastet pandemia ishte në vlugun e saj.

Ajo dje i ka dërguar një letër kreut të IKSHPK-së, Naser Ramadanit, për të kërkuar një rekomandim lidhur me mbajtjen ose jo të zgjedhjeve lokale.

Kjo është letra që presidentja Osmani ia dërgoi dje kreut të IKSHPK-së, Naser Ramadanit

GazetaBlic ka siguruar edhe përmbajtjen e letrës, përgjigjen e së cilës e ka pranuar sot Osmani nga i pari i institutit kombëtar të shëndetit publik.

Kujtojmë se të hënën mbahet takimi konsultativ mes presidentes dhe krerëve politikë të vendit, ku pritet të vendoset shumëçka lidhur me zgjedhjet lokale në përgjithësi dhe fushatën zgjedhore në veçanti.

/GazetaBlic/