Lajme

‘Paqe’ me Qeverinë: Si e bindi Sveçla SBASHK-un që ligji i pagave do të jetësohet në mars të 2022- Jasharaj flet për takimet me ekzekutivin

12/08/2021 12:12
nga:N M

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bindur krerët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), që deri në mars të vitit të ardhshëm të heqin dorë nga kërcënimet për greva në arsim dhe veprime të tjera sindikale.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut ka dhënë detaje gjerë e gjatë nga takimi që kanë pasur me Sveçlen, duke thënë se tashmë ka një dialog të mirëfilltë ndërmjet sindikatës që ai drejton dhe qeverisë, ku me këtë rast kërkesat e SBASHK-ut deri në mars të vitit 2022 do të realizohen pikë për pikë.

Ligji i ri për pagat- kjo është pika me të cilën sindikalistët e arsimit janë pajtuar që qysh në fund të tre mujorit të vitit të ardhshëm të jetësohet e ku këtu përfshihen edhe ngritja e koeficientit për mësimdhënësit.

“Jemi marrë vesh me Xhelal Sveçlen dhe ministren e Arisimit, Arbërije Nagavci që në fund të shkurtit të përgatisim versionin final dhe para se Ligji të aprovohet në Qeverinë e Kosovës dhe më pas në Kuvend do të ketë sërish një takim me sindikatat për të shikuar versionin finale të këtij ligji”, thotë Rrahman Jasharaj për Gazeta Blic.

Ai beson se fjalët dhe premtimet e bëra nga ana e këtyre dy ministrave të Qeverisë Kurti, do të shkojnë deri në fund, në të kundërtën sipas tij, do të ketë veprime radikale të Sindikatës.

“Ne kemi qenë dhe jemi për dialog me Qeverinë. Po e them nga takimet dhe bisedat që kemi pasur, shpresoj shumë që Ligji i ri i pagave do të kryhet deri në fund të marsit. Por, në rast se kjo nuk do të ndodh, atëherë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do të mblidhet për veprime sindikale që do të dalin nga kjo mbledhje e Këshillit Drejtues”, tha ai.

Jasharaj nuk ka specifikuar në detaje se sa mund të jetë përqindja e pagës që mund të rritet për një punonjës në arsim me ligjin e ri të pagave, por që ka thënë se do të jetë një pagë modeste për secilin që punon në arsim.

Për dallim nga SBASHK që aktualisht është në ‘paqe’ me Qeverinë e Kosovës, kjo e fundit nuk po gjen ujdi me sindikatën e punonjësve shëndetësore, të cilët i kanë dhënë afat ekzekutivit që deri me 15 dhjetor të këtij muaji ose të këtë ngritje të pagave për 50 për qind ose të jetësohet ligji i pagave.

Blerim Syla, nga FSSHK ka thënë se pas kësaj date nëse nuk ka lëvizje nga ana e qeverisë, do të ketë mbyllje dhe bllokim të shërbimeve mjekësore në nivel vendi.