Pavarësisht se zhvillimi ekonomik shënoi rritje gjatë 2024-s, vlerësohet se ndryshimet në këtë sektor nuk kanë qenë të mëdha as gjatë vitit që lamë pas. Çmimet e larta, sikurse të produkteve, ashtu edhe të rrymës, kanë sfiduar direkt xhepin e konsumatorit. Derisa qeveria gjatë tërë vitit ka folur për rritje ekonomike, ka qenë opozita e cila ka kritikuar ashpër qeverinë duke theksuar se realiteti ekonomik në Kosovë është më shqetësues se sa propaganda e qeverisë. Si sfiduese për këtë sektor sivjet pritet të jenë rreziqet fiskale, sfidat në sektorin e energjisë e ndikimet që mund të kenë tensionet gjeopolitike.
3,3 miliardë euro buxhet nuk arritën ta forcojnë ekonominë e vendit. Përkundër që zhvillimi ekonomik shënoi rritje gjatë 2024-tës, papunësia e migracioni mbetën sfidat kryesore.
2024-ta Kosovën e gjeti nën masa të shteteve më të fuqishme në botë, dëmet e cilave kapën vlerën e qindra miliona eurove.
Ndërsa, kryefjala e zhvillimeve në muajt e parë të vitit të kaluar u bë ndalimi i përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Vendimi i Bankës Qendrore nxiti reagime të shumta, por kthim prapa tij nuk pati. E për këtë në Bruksel u mblodhën disa herë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.
Përkundër që vendimi nuk u ndryshua, dinari serb gjatë gjithë vitit qarkulloi lirshëm në komunat me shumicë serbe.
Këtë e dëshmojnë më së miri pamjet e siguruara nga RTK .
Shkurti vijoi edhe me ngjarje tjera të rëndësishme, si shpërndarja e faturave të energjisë elektrike për banorët në veri të vendit të cilët që nga 99-ta nuk kishin paguar as një cent. Prapëseprapë, pagesën e rrymës në veri deri tash e kanë bërë vetëm më pak se 20% e qytetarëve atje.
Faturat ishin me një pagesë fikse prej 21 euro e 60 cent. Muajt pasues ishin të frytshëm për sistemin energjetik në Kosovë, pasi fillimisht u funksionalizua bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri.
Kosova nënshkroi kontratën 70 milionëshe me kompaninë Orllati për ankandin e parë solar në Kosovë, derisa u hap edhe ankandi i parë i erës.
E për dallim nga 2023-ta, qytetarët iu gëzuan rishikimit të tarifave të energjisë, pasi që kësaj herë u vendos që të njëjtat të ulen për 8%.
Ndërsa, mijëra qytetarë patën mundësinë që të përfitojnë subvencione mijëra euro për izolim të shtëpive e blerje të pajisjeve ngrohëse efiçiente. Por, pavarësisht kësaj po vazhdojnë të shënohen reduktime të ashpra në gjithë vendin.
Miliona euro u ndanë edhe për bizneset, kryesisht për blerjen e makinerive të avancuara. Por që gjendja e tyre nuk është se ndryshoi shumë.
Shumë biznese u mbyllën, derisa të tjera u përballën me mungesë të fuqisë punëtore.
E derisa përfaqësues të bizneseve u ankuan disa herë se shteti nuk po u del në ndihmë, ekzekutivi kosovar vendosi që të ndihmojë punëtorët.
E kjo u bë me rritjen e pagës minimale në 350 euro, vendim i cili u fuqizua nga 1 tetori i këtij viti.
Por, pakënaqësitë tek punëtorët nuk u larguan. Punëtorë teknikë e punëtorë tjerë të sektorit publik disa herë protestuan për shkak të pakënaqësive në lidhje me pagat dhe kushtet e punës. E derisa pagat u rritën, bashkë me to u rritën edhe çmimet.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë muajit nëntor çmimet e konsumit u rritën prej 0,7% krahasuar me muajin e njëjtë të 2023-tës.
Ngritje shënuan çmimet e qumështit, djathit, vezëve, kafesë, çajit, ujit mineral e produkteve tjera. Ndërsa, vlera e eksportit dhe importit shënuan ngritje.
Nga Dogana e Kosovës i kanë thënë RTK-së se nga mbi 819 milionë sa ishte në 2023-tën, vlera e eksportit shkoi në mbi 889 milionë.
Ndërsa, nga mbi 5.8 miliardë euro, vlera e importit shkoi në mbi 6 miliard në 2024-tën. Zhvillimet në këtë fushë u përcollën me ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat që vijnë nga Serbia.
Teksa iu nënshtruan kontrolleve rigoroze, mallrat serbë arritën të depërtojnë në vend përmes pikës kufitare në Merdare.
Ndryshimi i vendimit të qeverisë erdhi pas kërcënimeve se Kosova do të përjashtohet nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit nëse nuk liron mallrat e shtetit serb.
Por cilat janë pritjet për ekonominë gjatë 2025-tës?
Pas rritjes së moderuar gjatë vitit të kaluar, zhvillimi ekonomik vlerësohet se pritet të rritet me ritëm më të përshpejtuar, vlerësuar në rreth 5.6% në terma realë dhe 7.4% në terma nominalë.
Konsumi publik vlerësohet se do të rritet si shkak i rritjes së koeficientit të pagave në sektorin publik, ndërsa rritje është paraparë të ketë edhe eksporti dhe importi i mallrave. Inflacioni pritet të reduktohet në 1.8%. Sfidë për ekonominë gjatë 2025-tës sipas parashikimeve të ekzekutivit pritet të jenë: Rreziqet fiskale nga ndërmarrjet publike, sfidat në sektorin e energjisë e presionet në rritje mbi çmimet për shkak të ndryshimeve klimatike e tensionet gjeopolitike.