Prokuroria e Specializuar e Hagës raportohet se është duke kryer bastisje në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas mediumit “Paparaci”, bastisja ndërlidhet me aksionin e Prokurorisë që ka nisur mëngjesin e së enjtes.
Ndërkohë, sot në mëngjes janë arrestuar edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj.
Gjithashtu, Specialja ka arrestuar edhe ish-eprorin e UÇK-së, Isni Kilaj.
Fahri Fazliu ka bërë me dije se Gjykata Speciale sot e ka arrestuar babanë e tij Fadil Fazliu, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu.
Ndryshe, zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë detaje për aksionet e sotme në Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, ZPS-ja po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. ZPS-ja ka treguar se operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).” – thuhet në njoftim.


