Papa Françesku nuk do të udhëtojë në Skoci për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën, ka njoftuar Vatikani.
Kreu i Selisë së Shenjtë, ka thënë më parë se shpreson që do të marrë pjesë në organizimin në Glasgou muajin e ardhshëm, mirëpo gjithçka do të varet se si “ndihet atë kohë”.
Ai i është nënshtruar së fundmi një operimi në zorrën e trashë, në Romë.
Të premten, Vatikani ka thënë se delegacioni i tij do të jetë në Glasgou në vend të Papës.
Samiti i radhës për Klimën do të mbahet nga 31 tetori deri më 12 nëntor.
Papa Françesku ishte planifikuar që të ishte në mesin e 120 liderëve botërorë që do të marrin pjesë në organizimin për të diskutuar mundësitë e zvogëlimit të emetimeve që shkaktojnë ndryshime klimatike.
Organizatorët kanë konfirmuar se pjesë e samitit do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden dhe Mbretëresha britanike Elizabeta II. /REL