Sporti

PAOK fiton ndaj Trepçës në një ndeshje mjaft dramatike

10/15/2025 21:24
nga:Lorik J

Trepça nuk ia doli të startojë me fitore në edicionin e sivjetmë të FIBA Europe Cup, duke u mposhtur nga PAOK me rezultat 85-74 (27-20, 18-13, 18-22, 22-19) në PAOK Sport Arena. Skuadra mitrovicase dha një paraqitje luftarakë dhe ruajti gjallë shpresat deri në momentet vendimtare të takimit.

Ndeshja nisi me dominim të lehtë të skuadrës greke, që përfundoi pjesën e parë me epërsi të qartë 45-33. Megjithatë, Trepça reagoi fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e fitoi me rezultat 22-18, duke e ngushtuar disavantazhin në vetëm tetë pikë (63-55), shkruan Kerlacki.

Në çerekun e fundit, Trepça iu afrua jashtëzakonisht shumë përmbysjes. Me një treshe të saktë nga Tmusiç dhe me kontributin e Arslanagiç, ekipi kosovar e ngushtoi rezultatin në vetëm një pikë diferencë (71-70), por gabimet në momente kyçe dhe mungesa e përqendrimit u shfrytëzuan nga PAOK, që ruajti epërsinë deri në fund.

Pavarësisht humbjes, Trepça dëshmoi potencial dhe karakter, duke luftuar deri në sekondat e fundit. Ndeshja e radhës në Grupin F do të jetë vendimtare për vazhdimin e ëndrrës evropiane të mitrovicasve.

Ndërkohë, kryesimin në Grupin F e mban skuadra gjermane Basketball Löwen Braunschweig, që mposhti ekipin polak Anwil Włocławek me rezultat dramatik 98-97.