Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese, raporton GazetaBlic.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar Shqipe Pantina nga LDK, ku thotë se ky vendim është një lajm shumë i keq por jo i papritur.
Ajo shton se ajo që deklaroi ambasadori Hovenier është vetëm njëra nga arsyet sepse qeveria Kurti ka ndërmarrë edhe veprime të tjera të papërgjegjshme të cilat sipas saj kanë dobësuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Vendimi i Administratës Amerikane për të ndërprerë dialogun strategjik me Kosovën, për fat të keq, është një lajm shumë i keq, por jo i papritur. Analistë të shumtë në media dhe zyrtarë të opozitës kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se Kryeministri Kurti po i cenon marrëdhëniet me aleatët tanë strategjikë SHBA-në dhe shtetet e BE-së. Ajo që deklaroi ambasadori Hovenier është vetëm njëra nga arsyet, qeveria Kurti ka ndërmarrë edhe veprime të tjera të papërgjegjshme, qoftë në raport me gjyqësorin apo me dialogun, të cilat kanë dobësuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe kanë cenuar tërë procesin e integrimit të saj në organizata ndërkombëtare”, përfundoi ajo për GazetaBlic.


