Lajme

Pantina: BE-së i duhet kohë për ta dënuar Serbinë si sponsorizuese të sulmit në Banjskë, pak pritje për bashkëpunim në këtë rast

10/10/2023 20:40
nga:G B

Ish deputetja, Shqipe Pantina, ka folur për mos vendosjen e masave ndaj Serbisë, për sulmin terrorist në Banjskë.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se BE është një institucion burokratik që merr vendime ngadalë dhe iu duhet kohë për ta dënuar Serbinë si sponsorizuese të sulmit.

“Bashkimi Evropian është një institucion burokratik që merr vendime ngadalë, dhe për më tepër politika e jashtme është më shumë nën kompetencën e shteteve anëtare të cilat jo rrallë kanë qëndrime të ndryshme, dhe kjo e bën shumë të komplikuar qëndrimin e BE-së. Megjithatë, zyrtarë të lartë të BE-së e kanë dënuar sulmin terrorist në Banjskë, por iu duhet kohë për të dënuar Serbinë si sponsorizuese të këtij sulmi”, shprehet për Gazeta Blic Pantina, anëtare e LDK-së.

Sipas saj, BE ka në natyrën e saj që të kërkojë nga palët e përfshira bashkëpunim dhe konstruktivitet.

Por, ajo vlerëson se është pak e pritshme që të ketë bashkëpunim nga Serbia në këtë rast.

“Është në natyrën e BE-së që të kërkojë nga palët e përfshira bashkëpunim dhe konstruktivitet dhe bazuar në këtë edhe i kanë kërkuar Serbisë që të bashkëpunojë me Kosovën. Por është pak e pritshme që Serbia të ofrojë bashkëpunim në këtë rast, sepse është mjaft e qartë se shteti serb gjegjësisht Presidenti Vuçiq ka pasur dijeni, ndonëse e mohon përfshirjen e shtetit serb në këtë sulm terrorist”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/

Kërkesa për kthim në dialog/ Qeveria i reagon BE-së: Kërkojmë siguri për Kosovën dhe sanksione ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit