Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes në KEK dhe qeverisjes aktuale, duke e quajtur të papranueshëm trajtimin e punëtorëve dhe menaxhimin e sektorit energjetik, raporton GazetaBlic.
Bajrami iu referua një videoje të një punëtori që del nga brendësia e kaldajës së Bllokut A5 në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme, pa asnjë mbrojtje dhe me rroba të shqyera. Ajo thotë se ky është një shembull i degradimit të një sektori jetik për vendin.
Bajrami ka kritikuar qeverinë në detyrë për tenderët e negociuar pa garë, pa studime fizibiliteti dhe për keqmenaxhimin e financave të KEK-ut.
Ajo ka theksuar se, përkundër deklaratave për fitimet në KEK, asnjë investim i madh nuk është bërë për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave për punëtorët.
Deputetja ka kërkuar që Prokuroria të ndërhyjë për të hetuar keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që, sipas saj, ka çuar në një situatë të papranueshme për punëtorët dhe qytetarët e Kosovës.


